
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka vendosur që të kufizojë lëvizjen e qytetarëve, në mënyrë që të parandalohet përhapja e koronavirusit.
Me këtë vendim të Kurtit nuk kanë rënë dakort Presidenti Thaç dhe ish-kryeministri Haradinaj, të cilët e quajnë një shkelje të Kushtetutës.
Sipas Presidentit Thaçi, vendimi i Kurtit duhej marrë vetëm nëse shpallej gjendja e jashtëzakonshme, vendim që i takon Kuvendit, ndërsa ka shtuar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të anulluar këtë vendim.
Ndërsa për ish-kryeministrin Haradinaj, vendimi i marrë nga Kurti është diktatorial dhe shkel rëndë Kushtetutën e Kosovës.
“Vendimi i Qeverisë për të ndaluar lirinë e lëvizjes njëanshmërisht është shkelje e rëndë e frymës së Kushtetutës dhe sistemit të balancimit dhe kontrollit.
Edhe në kohë krizash gjëja më e çmueshme e shtetit është demokracia dhe Kushtetuta. Çdo tendencë si kjo e sotshmja që krizat të shfrytëzohen për vendime të njëanshme për të vendosur kontroll, është veprim për diktaturë. Kosova nuk është shtet i diktaturës por i frymës së demokracisë”, është shprehur Haradinaj.