Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka uruar kryetarin e sapozgjedhur të Bashkisë së Kukësit, Albert Halilaj. Përmes një postimi në “Facebook”, Balla shkruan se Halilaj, kandidati i Partisë Socialiste në zgjedhjet e Kukësit, arriti të shënojë një rezultat historik, i cili tregon qartë besimin dhe pritshmëritë që kuksianët kanë ndaj kryeministrit Edi Rama dhe socialistëve.
Gjithashtu ministri Balla, në reagimin e tij falenderoi edhe KQZ si dhe Policinë e Shtetit për organizimin dhe mbarëvajtjen sipas standardeve më të mira të këtyre zgjedhjeve të pjesshme.
“Përgëzime Kryetarit të sapozgjedhur Albert Halilaj, i cili si kandidat i Partisë Socialiste për Bashkinë e Kukësit mori në zgjedhjet e djeshme një rezultat historik për forcën tonë politike, që flet qartë për besimin dhe për pritshmërinë e qytetarëve kuksianë ndaj Edi Rama dhe PS🌹🇦🇱🇪🇺, si edhe për detyrimin tonë të madh ndaj tyre, për të bërë shumë më shumë akoma për Kukësin🙏 Përgëzime KQZ dhe Policisë së Shtetit për organizimin dhe mbarëvajtjen sipas standardeve më të mira të këtyre zgjedhjeve të pjesshme, ku meritë kanë banorët e kësaj bashkie si dhe kandidatët bashkë me ekipet e tyre elektorale për zhvillimin e një fushate zgjedhore konkuruese dhe të qetë. FALEMINDERIT POPULLIT TË KUKËSIT”, shkruan Balla.
Zgjedhjet e pjesshme në Kukës janë fituar nga kandidati socialist Albert Halilaj, i cili ka dalë me një rezultat me mbi 5,000 vota para kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Emri Vata.
Një reagim i menjëhershëm lidhur me këtë rezultat erdhi edhe nga kryetari i Partisë Demokratike zyrtare në Kukës, Arif Rexhmati, i cili tha se në këto zgjedhje të pjesshme nuk fitoi Partia Socialiste, por humbi për të dytën herë ish-kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Më tej, kreu i PD-së zyrtare tha se kandidatura e grupimit të Berishës dhe Metës ishte një “mbetje komuniste” që shkoi në Kukës nga Tirana.
“PD dhe strukturat e saj ne Kukës në misionin fisnik të përbashkimit dhe jo të përçarjes së opozitës, ndonëse pranoi etiketime të pabaza, nuk nxori kandidat që të mos ndante votat e kandidatit të BF, ja la të gjithë komisionerët, të gjithë numëruesit, KZAZ, GNV, QV … për një shans të dytë… fitoren ndaj rilindjes”, tha Rexhmati ndër të tjera.
LEXO EDHE: Kryetari i PD në Kukës: Nuk fitoi Partia Socialiste, por humbi Berisha dhe Meta