Policia shqiptare dhe homologët në Spanjë kanë zhvilluar ditët e fundit disa operacione të rëndësishme, ku janë arrestuar shtatë persona të cilët do të ekstradohen pasi kërkohen për vepra të ndryshme penale.
Sot, krerët më të lartë të Policisë spanjolle kanë mbërritur në Tiranë dhe kanë falenderuar homologët shqiptarë për bashkëpunimin e suksesshëm. Këto veprime vijnë pas firmosjes së marrëveshjes së ekstradimit mes dy vendeve.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit vlerësoi marrëdhëniet e deritanishme ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Policisë spanjolle, po ashtu dhe angazhimin e Policisë shqiptare, për kapjen e personave të shpallur në kërkim nga Spanja.
“Gjithashtu , këto marrëveshje ekstradimi bëjnë të mundur dhe janë një faktor ndihmues në vënien në vend të drejtësisë, pavarësisht vendit se ku janë të përqendruara fenomenet që duhen goditur e neutralizuar nëpërmjet operacioneve policore.
Veprimet e ndërthurura policore që do të pasojnë dhe do të kenë si objektiv kapjen e çdo shtetasi të kërkuar nga drejtësia spanjolle dhe nga ato vende me të cilat Shqipëria ka marrëveshje ekstradimi, tanimë janë kthyer në një ndër prioritetet kryesore të punës së Policisë shqiptare”, tha Nano.
Juan Pablo Iglesias Bellido, atashe i Ministrisë së Brendshme spanjolle, e ka quajtur ditën e sotme një ditë të rëndësishme për marrëdhëniet mes dy vendeve.
Sot është një ditë shumë e rëndësishme për marrëdhëniet mes Spanjës dhe Shqipërisë. Me hyrjen në fuqi të marrëveshjes së ekstradimit që lejon ekstradimin reciprok të shtetasve, plotësuese me Marrëveshjen Evropiane të Ekstradimit të vitit 1957, Shqipëria dhe Spanja bëjnë një hap të madh përpara në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar.
Shqipëria tregon vendosmërinë e saj absolute për të mos qenë strehë për kriminelët, gjë që konsiderohet nga komuniteti ndërkombëtar si një shenjë e padiskutueshme e përpjekjes së saj të vazhdueshme për të avancuar në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në shtetin e së drejtës.
Me këtë operacion për gjurmimin e të arratisurve të kërkuar nga autoritetet gjyqësore spanjolle, Policia e Shtetit shqiptar dhe Policia Kombëtare përforcojnë kanalet e tyre, tashmë të rrjedhshme të bashkëpunimit policor dhe strategjisë së bashkëpunimit të ndërsjellë, e cila pa dyshim duhet të merret në konsideratë si një shenjë uniteti mes dy kombeve tona.”
Dario Varela Fernandez, drejtues i FAST Spanjës, tregoi se menjëherë pas marrëveshjes së ekstradimeve, në vetëm 48 orë, ekipi i Personave të Arratisur shqiptarë ka arrestuar gjithsej 7 persona në Shqipëri të kërkuar nga Spanja për krime të rënda
“Disa ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së përmendur me Shqipërinë, Seksioni i të Arratisurve të Policisë Kombëtare Spanjolle ka nisur një shkëmbim intensiv informacioni operacional me autoritetet shqiptare, me qëllim gjetjen e të arratisurve të pretenduar nga Spanja, me një vendndodhje të mundshme në Shqipëri.
Sapo filloi bashkëpunimi, në vetëm 48 orë, ekipi i Personave të Arratisur shqiptarë ka arrestuar gjithsej 7 persona në Shqipëri të kërkuar nga Spanja për krime të rënda si përkatësi në një organizatë kriminale, trafik ndërkombëtar droge në kuadër të organizatave kriminale ose sulme në shtëpi. Një pjesë e këtyre personave strehoheshin me identitete të rreme, në Shqipëri”, u shpreh Dario Varela Fernandez, drejtues i FAST Spanjës.