Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje dhe krahu i djathtë i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Dejona Mihali, ka reaguar menjëherë pas konferencës së bërë ditën e sotme nga kryeministri Edi Rama, lidhur me ngjarjet e fundit kriminale në veri të Kosovës, ku efektivi Afrim Bunjaku humbi jetën, ndërsa dy të tjerë mbetën të plagosur si pasojë e sulmeve të ardhura nga serbët.
Kryeministri Rama tha sot se KFOR duhet të marrë nën kontroll veriun e vendit, deklaratë kjo e cila nuk është pritur aspak mirë nga Mihali. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Mihali thekson se Kosova asnjëherë nuk ka kërkuar që KFOR të marrë kontrollin në veri dhe as nuk do e bëjë, sipas saj kjo është një kerkësë që mund ta bëjë vetëm Serbia.
Ndër të tjera ajo ka thënë se heshtja e Ramës për disa ditë të ishtë ndihma më e madhe dhënë Kosovës në këto momente dhe në këtë situatë në të cilën ndodhet.
“Mbase heshtja e Kryeministrit të Shqipërisë për disa ditë do të ishte ndihma më e madhe, në këto momente, dhënë Kosovës. Po ashtu, Kosova asnjëherë nuk ka kërkuar që KFOR të marrë kontrollin në veri. E as nuk do ta bëjë. Këtë e di dhe çdo fëmijë i vogël. Këtë e kërkon vetëm Serbia. Qeveria e Kosovës ka kërkuar vitin e fundit kryesisht shtimin e trupave të NATO-s në Kosovë referuar kërcënimit dhe akteve të vazhdueshme të agresionit nga ushtria e Serbisë në kufi me Kosovën”, ka shkruar Mihali.
LEXO EDHE: Rama thirrje: KFOR-i të marrë në kontroll VERIUN e Kosovës! Vonesa mund të sjellë viktima