
Ish ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias gjatë një interviste, ka theksuar rolin përcaktues të faktorit shqiptar në finalizimin e Marrëveshjes së Prespës.
Në një intervistë, Kotzias ka zbardhur disa prej “prapaskenave” të negociatave për zgjidhjen e kontestit për emrin kushtetues të Maqedonisë.
Ai tha se përpjekjet e qeverisë Tsipras për Marrëveshjen e Prespës filluan në verën e vitit 2015-të, kur në pushtet ishte VMRO-DPMNE dhe kryeministër Nikolas Gruevski, por këto përpjekje nuk dhanë rezultat.
Ish ministri i Jashtëm grek, zbuloi se në të njëjtën kohë nisën bisedimet edhe me kreun LSDM-së, të opozitës së atëhershme, Zoran Zaev, si edhe me Ali Ahmetin, të cilin gjatë intervistës e cilësoi si ‘liderin natyral të shqiptarëve në ‘Maqedoninë e Veriut’.
‘Ali Ahmeti dhe Bujar Osmani, zv/kryeministri aktual, ishin aleatët tanë në negociata. Ky bashkëpunim me shqiptarët dha fryte deri në fazën përfundimtare të negociatave’.
Kotzias zbuloi se kishte marrë një telefonatë nga Hillary Clinton që i sugjeronte të mos fliste me opozitën e Zaev dhe shqiptarët për të mos vënë nën presion Gruevskin. Ish-ministri tha se i kishte kërkuar Clintonit që të mos ndërhynte në punët e brendshme të Greqisë.