Zyrtarët ushtarakë të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë Jugore thanë se Koreja Veriore ka kryer një provë raketore balistike, sot herët në mëngjes.
Rrjedhimisht, Ushingtoni, Seuli dhe Tokioja thonë se po i shqyrtojnë të gjitha opsionet për ta ndëshkuar Korenë Veriore, të cilën e kanë cilësuar si shtet të papërgjegjshëm.
Zyrtarët ushtarakë amerikanë kanë konfirmuar se e kanë gjurmuar raketën dhe se ajo me gjasë ishte me rreze të mesme veprimi, por nuk ishte e karakterit balistik ndërkontinental. Rrjedhimisht, sipas tyre, ajo nuk paraqet kërcënim për Shtetet e Bashkuara.
Këto raporte për lëshimin e raketës balistike të Koresë Veriore u paraqitën në kohën kur në Florida të Shteteve të Bashkuara po takohen presidenti amerikan, Donald Trump, dhe kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe.
Trump tha se ai qëndron “100% me Japoninë”, derisa Abe tha se lëshimi i raketës koreano-veriore është “absolutisht i papranueshëm”.