Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të mbajë sot në orën 12:00 seancën për marrjen në pyetje të ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Ky i fundit akuzohet për “shpërdorim detyre” në lidhje me koncesionin e sterilizimit.
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 18.11.2023 ka paraqitur përpara Gjykatës kërkesën me objekt: Marrjen në pyetje të personin hetim I.B. Bazuar në nenin 248 të K.Pr.Penale seanca gjyqësore për zhvillimin e seancës gjyqësore për verifikimin e kushteve të zbatimit të masës dhe marrjen në pyetje të personit nën hetim I.B do të zhvillohet më datë 20.11.2023 ora 12:00”, thuhet në njoftim.
Prokuroria e Posaçme mori të pandehur ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe është vendosur masa “Detyrim paraqitje”.
Pavarësisht se kjo masë sigurimi konsiderohet e lehtë, ish-ministri është zyrtarisht i pandehur për dosjen e koncesionit të sterilizimit.
Po ashtu, Prokuroria e Posaçme ka vendosur dhe një masë tjetër sigurie për ish-numrin dy të Shëndetësisë shqiptare, duke i bllokuar pasaportën. Për rrjedhojë, Ilir Beqaj nuk mund të dalë nga Shqipëria, shkruan newsbomb.al.
Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj rezulton se është lënë jashtë hetimeve për koncesionin e sterilizimit, nga Prokuroria e Posaçme, ndaj kur aktet e dosjes kanë mbërritur në gjykatë është kërkuar nisja e një hetimi pasuror dhe thellimi i hetimeve për disa vepra të tjera penale.
Në muajin shtator, Gjykata e Posaçme ka urdhëruar SPAK që të kryejë hetime të thelluara pasi ka indicje për disa vepra penale, në ngarkim të ish-ministrit.
“Gjykata çmon se, ka indicje të mjaftueshme që Prokuroria e Posaçme të kryejë veprime hetimet edhe për veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsion pasivi funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”, thuhet në dokumentin e GJKKO.
Togat e zeza bëjnë me dije se në fashikullin hetimor këto episode nuk janë të evidentuara, ndaj kërkohet të kryhen hetime të thelluara për të provuar nëse biznesmeni Ilir Rrapaj dhe shtetasi tjetër italian kanë marrë përfitime të parregullta që rrjedhin nga korrupsioni, nga ministri Ilir Beqaj.