Profesori dhe eksperti i kriminologjisë, Ervin Karamuço është shprehur mbrëmjen e sotme se ngarkesa me pleh kimik që erdhi nga Kolumbia në Shqipëri dhe të tretur kishte 430 kg kokainë, dyshohet se orientohej që nga Dubai.
Sipas tij, ngarkesa e gjitha ka pasur dy GPS; një që e shikonte grupi që ishte porositës dhe tjetrin DEA amerikane.
“Ngarkesa ka ardhur me 2 GPS. Njërin e ka pasur grupi, tjetrin e ka pasur DEA. GPS mund ta kontrollosh nga çdo cep i globit. Dyshohet që edhe kjo linjë e trafikut ndërkombëtar është e orientuar nga Dubai. Do të shikohet në ditët në vijim. Na grupet shqiptare në Dubai sepse ata janë garantët, lidhen me grupet në Amerikën Latine”, tha Ervin Karamuço në emisionin “Log”.
Ndërkohë, gazetari Ermal Vija tha se DEA amerikane ka pasur informacion për kokainën e tretur në pleh që në momentin e nisjes së saj nga Kolumbia.
“DEA ka pasur informacione që në momentin që është ngarkuar sasia e drogës. Sasia prej 24 ton pleh kimik ishte porositur do t’i nënshtrohet ekspertimit kimik, pra do nxirret kokaina nga plehu kimik. Deri tani Prokuroria ka lëshuar 11 urdhër arreste. Deri tani vetëm kimisti kolumbian nuk është arrestuar. Ai është thirrur për të bërë nxjerrjen e lëndës narkotike”, u shpreh Vija.