Drejtuesi politik i Partisë Socialiste Taulant Balla dhe kryeministri Edi Rama janë duke zhvilluar një takim elektoral në qytetin e Librazhdit.
Gjatë fjalës së tij, drejtuesi politik i PS-së, Taulant Balla tha se Lubrazhdi është shndërruar në një qendër ku kompanitë e huaja investojnë duke punësuar qindra banorë vendas.
Balla ironizoi kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha, duke e quajtur një “dordolec” në duart e Ilir Metës dhe Sali Berishës. Ai tha se vendi ka nevojë për një kryeministër të fortë si Edi Rama.
“Kush e mendonte se do të kishim kompani që do të prodhonin uniforma për ushtrinë italiane dhe spanjolle. Kush e mendonte se Benz Mercedesi do të prodhonte pjesë këtu në Librazhd. Edi Rama do të shkonte te ajo kompani dhe do t’i lutej si lypsar “hajde hap kompani në Librazhd”. Siç iu lut, lypi për vaksinimin, dhe siç iu lut për fondet për rindërtimin pas tërmetit. Betejat që kemi nisur duhet t’i çojmë deri në fund. Pa Edi Ramën ne mund të rrezikojmë përsëri, kohë të vështira kanë nevojë për kryeministër të fortë. Ne nuk mund t’ia lemë timonin një dordoleci në duart e Saliut dhe Ilir Metës”, deklaroi Balla.