Listës së shteteve evropiane që kanë vendosur ta kenë për valutë euron, i bashkohet edhe Kroacia. Edhe zyrtarisht, tashmë Kroacia nga sot është pjesë e eurozonës, por deri tani do të jetë vetëm në transaksionet bankare.
Përdorimi i përditshëm i euros do të vihet në funksion nga 1 janari i vitit që vjen (2023). Zyrtarizimi i Kroacisë si vendi i 20-të që i bashkohet zonës euro, nga 27 vende anëtare të BE-së, u bë sot në Bruksel në kuadër të samitit të BE-së.
Të pranishëm ishin Christine Lagarde, presidente e Bankës Qëndrore Evropiane, Andrej Plenkoviç, kryeministër i Kroacisë, Charles Michel, president i Këshillit Evropian, Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian dhe Paschal Donohoe, president i Eurogrupit.
Komisioni Evropian konfirmoi se Kroacia i ka përmbushur kushtet për vendosjen e euros si valutë të saj duke hequr Kunën, si monedhën që kishte në përdorim që nga koha kur shpalli pavarësinë nga ish Jugosllavia me 26 qershor 1991.
Komisioni Evropian ka deklaruar se Kroacia është i vetmi nga shtetet që ende nuk ka euron si valutë zyrtare, ndonëse i ka përmbushur të gjitha kriteret. Komisioni ka vlerësuar edhe Suedinë, Çekinë, Rumaninë dhe Bullgarinë. Ato i kanë përmbushur shumicën e kritereve, por jo të gjitha.