Gazeta greke “Kathimerini” ka shkruar një artikull rreth lënies në burg të kryebashkiakut të Himarës, Fredi Beleri.
Medie shkruan se “Gjykata e Posaçme e Apelit në Tiranë rrëzoi edhe një herë kërkesat për lirimin nga burgu të Fredi Belerit dhe të drejtën e tij për të ushtruar detyrën e kryetarit të bashkisë”
Në artikull shkruhet se presidenti i Avokatëve Evropianë, pa Kufij, Patrick Henry “vuri në dukje se me vendimin për mohimin e ë Belerit, gjykatat shqiptare shkelën nenet 5 dhe 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Sipas gazetës greke, Henry tha se “nuk ka motive që Fredi Beleri të largohet nga vendi, ndërsa në të njëjtën kohë mund të merren masa të sigurta për të parandaluar arratisjen e tij”.
Gjithashtu, në artikullin e “Kathimerini” shkruhet se kryetari i Plenares së Dhomave të Avokatëve të Greqisë, Dimitris Vervesos “iu referua shkeljes së nenit 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i cili e konsideron të paligjshme pengimin e një zyrtari në kryerjen e detyrës në mungesë të një vendimi gjyqësor të formës së prerë dhe të parevokueshme”.
Gjykata e Posaçme la në fuqi ditën e sotme masën e sigurisë “arrest me burg” për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri. Në seancën e sotme, Beleri kërkoi përmes avokatëve zbutje të masës së sigurisë, në mënyrë që t’i hapej rruga betimit të tij si kryetar i Bashkisë Himarë. Por prokuroria hezitoi për lirimin e tij, pasi ka dyshime se Fredi Beleri mund të intimidojë dëshmitarët.
E pranishme në seancë ishte edhe ambasadorja greke Kostandin Kamitsi dhe kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule. Gjithashtu ashtu si dhe ishte lajmëruar më herët morën pjesë edhe Delegacioni i Dhomës së Avokatëve të Greqisë.
Kujtojmë se kryebashkiaku i Himarës ndodhet në paraburgim prej datës 12 maj, dy ditë para zgjedhjeve lokale, pasi u kap në flagrancë duke premtuar dhe dhënë para për të blerë vota. Pavarësisht se ishte në qeli, ai arriti të fitonte dhe të merrte mandatin nga KQZ.
Fredi Beleri, kandidat i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit dhe bashkë me bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi, akuzohen për blerje votash.
Prokuroria dhe Policia e Vlorës e ndoqën rastin me metoda speciale hetimi, duke përdorur agjent të infiltruar, i cili për tetë vota mori 400 mijë lekë të vjetra. Beleri dhe Kokaveshi u arrestuan në kushtet e flagrancës.
LEXO EDHE: Gjykata e Posaçme nuk bën mbrapa, lë në burg Fredi Belerin, në seancë dhe ambasadorja greke