Autoritetet italiane kanë ndaluar një gomone të ngarkuar me drogë që po udhëtonte nga Shqipëria drejt brigjeve italiane.
Drejtoria Antimafia e Policisë së Barit në bashkëpunim me repartin territorial të policisë financiare të komunës së Barleta e Molfeta kanë sekuestruar gomonen me drogë me prejardhje nga Shqipëria si dhe kanë arrestuar dy skafistët shqiptarë, banues në Vlorë, shtetasit H.E. 37 vjeç e M.H 34 vjeç.
Gomonia e gjatë rreth 9 metra dhe e pajisur me dy motorë të fuqishëm jashtë bordit është ndaluar nga roja bregdetare e financës italiane pas disa minuta ndjekje në brigjet e qytezës Molfeta.
Në bordin e saj janë gjetur plot 52 pako marijuanë me një peshë totale prej 1 ton e 215 kg. Sipas autoriteteve italiane lënda narkotike e shitur në treg do të sillte një përfitim prej 12 milionë euro.