Gjykata Speciale në Hagë ka shpallur fajtorë dhe ka dënuar me nga katër vite e gjysmë burg Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn, ish-drejtues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Vendimi për dy ish-veprimtarët e UÇK-së është dhënë paraditen e kësaj të mërkure. Gucatit dhe Haradinajt do t’ju llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
Në aktakuzën ndaj Gucatit e Haradinaj, parashtrohet se midis më së paku 7 dhe 25 shtatorit 2020, në tri konferenca për shtyp dhe transmetime të tjera televizive, si dhe përmes shpërndarjes së mëtejshme, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj zbuluan, pa autorizim, informacion të mbrojtur nga Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, përfshirë të dhëna personale të disa dëshmitarëve (të mundshëm).
Gjithashtu, të akuzuarit bënë komente nënçmuese dhe akuzime kundër dëshmitarëve (të mundshëm) dhe në mënyrë të përsëritur shprehën synimin e tyre për të dëmtuar Dhomat e Specializuara.
Akuzat përfshijnë dy pika për kryerjen e veprave penale kundër rendit publik, konkretisht pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare (Pika 1 dhe 2) dhe katër pika të veprave penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administrimit publik. Këto janë frikësimi gjatë procedurës penale (Pika 3), hakmarrja (Pika 4) dhe shkelja e fshehtësisë së procedurës (Pikat 5 dhe 6).
Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 në Prishtinë, Kosovë, dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, përkatësisht më 25 dhe 26 shtator 2020.