Bojan Mijailoviq raportohet se është një nga terroristët e vrarë në Manastirin e Banjskës. Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçka ka publikuar fotografinë që konfirmon identitetin e personit të vrarë dhe thotë se ai ka shërbyer si truprojë e shefit të BIA-s në Serbi, Aleksandar Vulin.
“[…] sot është konfirmuar që njëri nga të vrarët që ishte po ashtu pjesëmarrës i atij akti është edhe Bojan Mijailoviq, trupëroja e shefit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin, në vizitën e tij në Republikën e Kosovës në vitin 2013”, shkruan Sveçla.
Më tej, ai thotë se shteti i Serbisë është këmbë e krye i përfshirë në këtë sulm terrorist me qëllim destablizimin e Republikës së Kosovës.
“Për këtë gjë tashmë ekziston edhe lidhja formale e strukturore e përfshirjes së Aleksandar Vuçiq në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit: Milan Radojçiq, si nënkryetar i Listës serbe dhe trupëroja e Aleksandër Vulinit, shef i BIA-s. Të dy këta po ashtu të sanksionuar në listën e zezë të ShBA-ve. Të dy këta nga njerëzit më të afërt të presidentit të Serbisë”, vijon ai.
Kujtojmë se në sulmin terrorist në Banjskë të Kosovës, u vra nga serbët rreshteri patrullues Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy kolegë të tij.
Rreshterët kosovarë ishin ndeshur me serbët që po shkonin të armatosur drejt fshatit Banjskë dhe i kanë ndaluar. Në orët e para të mëngjesit të së dielës, Bunjaku ra dëshmor si pasojë e plumbave të terroristëve serbë.
Menjëherë Policia e Kosovës u vu në lëvizje dhe në veri shkoi dhe Njësia Speciale. Nga kundërpërgjigja me armë zjarri, mbetën të vrarë katër pjesëtarë të grupit të sulmuesve. Besohet se ata ishin rreth 30 dhe fshiheshin në Manastirin e Banjskës, ku u gjet një sasi e madhe armatimi i kalibrave të ndryshëm, për qindra persona.