Një 18 vjeçar është arrestuar nga Policia e Durrësit, pasi akuzohet se i ka vënë flakën me benzinë derës së apartamentit të ish-vjehrrit të motrës së tij. Prishja e marrëdhënieve familjare ka bërë që Muajozu Ndreaj të djegë me benzinë derën e apartamentit. Ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë.
Policia e Durrësit ka publikuar dhe momentet kur 18 vjeçari shkon pranë një pike karburanti dhe blenë lëndën djegëse, si dhe momentin kur ai ngjit shkallët e pallatit dhe shkon në apartamentin në fjalë.
Nga përhapja e flakëve u shkaktuan dëme materiale dhe iu rrezikua jeta banorëve të pallatit ku banonte 61-vjeçari.
Gjithashtu për këtë rast, shërbimet e Policisë shpallën në kërkim vëllanë e 18-vjeçarit, shtetasin Ibrahim Ndreaj, 22 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se përmes celularit, ka kanosur me fjalë, 61-vjeçarin, për jetën dhe për të mos kallëzuar. Vijon puna për kapjen e këtij shtetasi.
Njoftimi i plotë i Policisë së Durrësit:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, menjëherë pas marrjes së kallëzimit për një rast të dëmtimit të qëllimshëm, me zjarr, të derës së banesës së një shtetasi, për shkak të një konflikti ndërmjet tij dhe autorëve të dyshuar, kanë organizuar punën me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit dhe arrestimin e përgjegjësve.
Nga veprimet e shpejta hetimore dhe procedurale të kryera dhe si rezultat i operacionit policor të koduar “Identifikimi”, u kap dhe u vu në pranga shtetasi M. N., 18 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se për shkak të një konflikti të mëparshëm ndërmjet tyre, i ka vënë flakën derës së banesës së një 61-vjeçari (ish-vjehërri i motrës së tij).
Nga përhapja e flakëve u shkaktuan dëme materiale dhe iu rrezikua jeta banorëve të pallatit ku banonte 61-vjeçari.
Gjithashtu për këtë rast, shërbimet e Policisë shpallën në kërkim vëllanë e 18-vjeçarit, shtetasin I. N., 22 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se përmes celularit, ka kanosur me fjalë, 61-vjeçarin, për jetën dhe për të mos kallëzuar. Vijon puna për kapjen e këtij shtetasi.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan veshje të përdorura nga këta shtetas, gjatë kryerjes së krimit, një bidon plastik ku mbahej lënda djegëse (benzinë) dhe një celular. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.