Flasin për herë të parë Donaldo Lushaj, 25 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë dhe Armando Pezaku, 25 vjeç, lindur dhe banues në Durrës, të dy të arrestuar për 613 kg kokainë kapur në Portin e Durrësit dy ditë më parë, brenda kamionit me banane.
Lushaj dhe Pezaku kanë mohuar të kenë lidhje me trafikun e kokainës duke theksuar se ishin të punësuar nga kompania “Arbri Garden”.
“Jam i punësuar nga kompania Arbri Garden për tu marrë me aktivitetin e kompanisë , organizoja punën, zgjidhja tansportin. Kjo ishte detyra ime. Nuk e kisha idenë që kamioni kishte drogë vec bananeve”, ka thënë para gjykatës Lushaj.
Ndërsa shoferi i kamionit, 25 vjeçari, Armando Pezaku i cili ditën e djeshme u bë ‘hit’ në rrjetet sociale pasi shkruante te të dhënat në Facebook se “u çonte miell partizanëve” ka thënë se roli i tij ishte veç të transportonte kamionin.
“Vetëm mora kamionin me ngarkesën. Më njoftuan se ngarkesa erdhi, shkova në port. S’e dija ç’kishte brenda”, ka thënë Pezaku.
Vetë pronari i Arbri Garden, Arbri Çekaj është shpallur në kërkim nga policia.