Çështja e “Hysenbelliu Group” është kthyer në çështje edhe në Britaninë e Madhe aty ku kryeministri Edi Rama ndodhet që prej ditës së djeshme në një vizitë zyrtare.
Në ChatHam House, kryeministri Edi Rama në një bisedë të gjatë për realitetin e ri dhe krizën e emigrantëve është pyetur edhe për lirinë e mediave në Shqipëri si dhe me gjobitjen e tyre.
Ka qenë gazetarja e rrjetit investigativ Birn, e cila ka pyetur kryeministrin për gjobitjen e mediave në Shqipëri. Në përgjigjen e tij Rama përgenjështroi lajmin lidhur me gjobitjen e mediave shqiptare si dhe mohoi mungesën e lirisë së shprehjes në vendin tonë.
Ai theksoi se pronarët e mediave duhet të përgjigjen si të gjithë të tjerët duke paguar sigurimet shoqërore, taksat, qiranë dhe se nuk kanë imunitet që në emër të lirisë të bëjnë gjithçka prapa ekranit.
“Ah nëse themi pronarë mediash që janë pronarë kompanish që bëjnë evazion dhe janë dërguar në prokurori me evidenca të qarta apo pronarë mediash që nuk paguajnë qiratë e atyre faciliteteve që kanë marrë me qira dhe që janë në gjykata me qeverinë, për mua janë dy gjëra të ndryshme.
Duhet të paguash sigurimet shoqërore që nuk i paguan, duhet të paguash taksat që nuk i paguan, duhet të paguash qiranë që nuk e bën. Duhet të ndërtosh në mënyrë të ligjshme dhe këtë nuk e bën. Kështu, më vjen keq por për gjithë këto gjëra duhet të përgjigjesh si të gjithë.
Ti nuk ke imunitet në emër të lirisë që mund të bësh gjithçka prapa ekranit. Se çfarë bën në ekran është puna jote. Ne asnjëherë nuk kemi gjobitur ndonjë media edhe pse duhej. Pse? Sepse ka një problem të madh me pagesat e rrogave të gazetarëve, shko shiko rrogat e tyre dhe preokupohu pak më shumë për ta sepse janë të nënpaguar dhe paguhen më shumë në të zezë dhe kështu me radhë”, tha Rama.
Pjesë nga intervista:
-Liria e medias në Shqipëri ka rënë. Në konferencat për shtyp nuk lejohen gazetarët të bëjnë pyetje specifike madje u thuhet se janë shumë teknike. A është liria e shtypit kyç per funksionimin e një demokracie?
Edi Rama: Ka një stereotip. Nëse je gazetar, mund të thuash çdo të pavërtetë që të duash dhe kjo është liri. Nëse je politikan, dhe thua çdo gjë që do, ti je dyshues. Unë nuk pranoj nga ndokush superioritet moral kur vjen puna për çdo subjekt. Nuk shoh ndonjë superioritet moral të pranueshëm. Unë kam përgjigjet e mia, ju pyetjet tuaja. Unë kam opinionet e mia, ju tuajat. Por kur thua liria e shtypit është që të thuash çdo gjë që të vjen ndërmend dhe çdo lidhje të mundshme që bën dhe më pas të thuash që kjo është vetëm “bullshit” dhe kjo është mungesë lirie e medias, unë nuk e ha këtë. Ti thua diçka që është gënjeshtër.
-Media janë gjobitur në Shqipëri.
Edi Rama: Më jepni një shembull. Ah nëse themi pronarë mediash që janë pronarë kompanish që bëjnë evazion dhe janë dërguar në prokurori me evidenca të qarta apo pronarë medias që nuk paguajnë qiratë e atyre faciliteteve që kanë marrë me qira dhe që janë në gjykata me qeverinë, për mua janë dy gjëra të ndryshme.
Është shumë e thjeshtë të thuash se duhet të paguash qiranë sepse jam kritik. Ti do që të paguaj taksat sepse jam kritik. Ti do që unë të paguaj sigurimet shoqërore për punonjësit sepse unë jam kritik. Por faktet janë totalisht të ndryshme. Duhet të paguash sigurimet shoqërore që nuk i paguan, duhet të paguash taksat që nuk i paguan, duhet të paguash qiranë që nuk e bën. Duhet të ndërtosh në mënyrë të ligjshme dhe këtë nuk e bën. Kështu, më vjen keq por për gjithë këto gjëra duhet të përgjigjesh si të gjithë. Ti nuk ke imunitet në emër të lirisë që mund të bësh gjitçka prapa ekranit. Se cfarë bën në ekran është puna jote. Ne asnjëherë nuk kemi gjobitur ndonjë media edhe pse duhej. Pse? Sepse ka një problem të madh me pagesat e rrogave të gazetarëve, shko shiko rrogat e tyre dhe preokupohu pak më shumë për ta sepse janë të nënpaguar dhe paguhen më shumë në të zezë dhe kështu me radhë. Ka një problem të madh me këtë miks ndërmjet lirisë së medias dhe mosbindjes ndaj ligjit në emrin e të qenurit pronar i medias. Ju mund të thoni ç’të doni por kjo nuk do të kalojë. Është toleruar për një kohë të gjatë dhe ka qenë gabim. Dhe ju mund të thoni ç’të doni. Për sa kohë që nuk ka gazetar në Shqipëri që…dhe kjo puna që gazetarët nuk lejohen të bëjnë pyetje të mprehta është edhe njëherë e pavërtetë. Totalisht e pavërtetë. Gazetarët mund të bëjnë çdo lloj pyetje që duan, mund të jenë ata që duan të jenë. Nuk është kjo. Është shumë e qartë. E fundit që dua të them për këtë është se unë vetë kam rriskuar jetën për lirinë e medias. Ok? Kam ende shenjat e plagëve në kokë. Ndaj moral superioriteti dhe leksione nga çdokush që ka një laps dhe i thotë vetes gazetar nuk pranon.
Më pas, kemi këndvështrime të ndryshme, i kemi. Por ideja që je kryeministër dhe nuk duhet të kesh pikëpamjen tënde dhe gazetari mund të ketë çdo pikëpamje që do dhe ti s’mund të thuash atë që do, kjo nuk është diçka që e pranoj. Ndoshta e kam gabim. Sigurisht mund ta kem gabim. Sigurisht ju mund të keni të drejtë. Por ky është realiteti. Kështu që ju shkruani çdo gjë që doni. Keni një laps e shkruani. Po kur më flisni mua dhe unë ju flas, mos pretendoni që unë do të ha gjithë të pavërtetat që doni ju të thoni. Eshtë e pamundur. Eshtë kaq e thjeshtë.