Familjarët e 31-vjeçares, Elisabeta Lamaj që humbi jetën para një muaji pas kryerjes së anestezizë lokale në spitalin e Fierit janë ngritur në protesta ku kërkojnë drejtësi dhe i bëjnë thirrje Prokurorisë të nxjerrë ekspertizën.
Jashtë ambienteve të Prokurorisë së qytetit familjarët të irrituar shprehen për mediat se nëse autoritetet nuk do të vendosin drejtësi atëhere ata do të detyrohen të vendosin vetë.
“Kërkojmë drejtësi,një muaj asnjë gjë. Të dali e vërteta, ka një muaj ekspertiza nuk ka dalë. Asnjëherë nuk zgjat kaq kjo. Deri sot nuk ka ndodhur asgjë, Na kanë thënë që do zgjidhet problem. E sa do presim, ka dy fëmijë që duhen rritur. Nuk ekziston shteti për ne, nuk e dimë çfarë po bëhet. Jemi shumë të irrituar. Ndryshe të hakmerremi me doktorin dhe të bëjmë vetëvrasje. Mirë që nëna vdiq po fëmijët duhet të jetojnë”, tha njëri prej familjarëve.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur një muaj më parë ku Elisabeta Lamaj u paraqit në ambientet e spitalit të Fierit në muajin e 9 të shtatezanisë dhe priste të sillte në jetë fëmijën e dytë, por fatkeqësisht ka humbur jetën pas kryerjes së anestezisë që do të bënte të mundur interventin . Sipas dëshmisë së mjekëve shkak i humbjes se jetës së 31 vjeçares ka qenë infarti akut i miokardit.