Disa qindra ndërtime preken nga projekti i Unazës së Madhe në Tiranë, e ndërsa në zonën e “Astirit” vijon protesta e banorëve kundër shembjes së ndërtesave që preken nga ndërtimi i segmentit të “Unazës së Re”.
Kreu i Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Valdrin Pjetri, në një deklaratë për media, bën me dije se një grup i posaçëm juristësh e hartografësh për trajtimin e kërkesave të të prekurve nga ky projekt.
Ai tha se gjurma e këtij projekti prek 4 zona kadastrale dhe 424 pasuri.
“Nga projekti preken dy zona rurale: Zona Kadastrale 3866 (Yzberish) dhe Zona Kadastrale 2679 (Mëzez) si dhe dy zona qyteti: Zona Kadastrale 8210, që shtrihet nga sheshi Shqiponja deri tek lumi Lana dhe Zona Kadastrale 8310. Gjithashtu gjatë kësaj periudhe që Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë është pjesë e grupit të përbashkët të punës ka identifikuar rreth 424 pasuri që prek projekti.
Çdo banor i zonës së Unazës së Re, që ka nevojë për shërbime nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tirane, mund të paraqitet në çdo moment në zyrën tonë. Tashmë ne kemi hapur një sportel të dedikuar vetëm për banorët e Unazës së re, të cilët do të marrin shërbim brenda ditës. Grupi i Punës i ngritur në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë do të punojë edhe me orare të zgjatura me qëllimin ofrimin e shërbimit për banorët e Unazës së Re, të cilët preken nga projekti”, bëri me dije Pjetri.