Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra prokurorin Artur Selmani.
Selmani mbante postin e prokurorit në Prokurorinë e Përgjithshme.
KPK duke iu referuar DSIK thotë se Selmani është i pa përshtatshëm për të vijuar detyrën, pasi ndaj tij ka pasur ankesë nga familjarët e viktimave në Cole të Vlorës. Familjarët pretendojnë se prokurori Selmani ka lehtësuar akuzën për të pandehurit.
Prokurori ka thënë në seancë se ai ka hetuar ngjarje të vitit 1997 si dhe Lulzim Bashën për tenderin e pasaportave.
Selmani e ka filluar karrierën në institucionin e akuzës në fillim të viteve ’90, fillimisht si hetues dhe më pas si prokuror. Ai është pjesë e Prokurorisë së Përgjithshme prej më shumë se një dekade, ku ka mbajtur edhe role drejtuese. Paralelisht me punën në Prokurori, Artur Selmani ka punuar edhe si pedagog dhe ekspert trajnues pranë Shkollës së Magjistraturës.
Në shkurt 2017, prokurori Selmani u pezullua nga detyra me urdhër të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, për shkak të lehtësimit të akuzës për autorin e një masakre me tre viktima në vitin 2015 në qytetin e Vlorës. Prokuroria e Përgjithshme paralajmëroi hetim për “shpërdorim detyre”, por akuzat u rrëzuan 4 muaj më vonë.