Gjykata Speciale në Hagë ka shpallur fajtorë dhe ka dënuar me nga katër vite e gjysmë burg Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn, ish-drejtues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, njëherësh kushëri i njërit prej të dënuarëve të sotëm, Nasim Haradinaj, u jep zemër dy veprimtarëve të UÇK-së, duke kërkuar që të bëhen të fortë pasi lufta për liri e shtet vazhdon.
Haradinaj tregon dhe historinë e familjes së Nasim Haradinaj, tre breza të kaluar mes luftës, dhe thotë se ajo e kupton peshën e vendimit të sotëm. “Bashkëluftëtarë Hysni e Nasim, qëndroni të fortë. Lufta për liri e shtet vazhdon”, shkruan ish-kryeministri.
Shënimi i plotë i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj:
Sot u dënuan krerët e OVL të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.
Do i them pak fjalë për Nasimin.
Stërgjyshi i tij, Xhemajli i parë, pjesëmarrës në shumë luftëra kundër pushtuesve u vra në Gjakovë te kulla e Abdullah Pashë Drenit, në mbrojtje të Lidhjes së Prizrenit.
Gjyshi i tij, Xhemali i dytë, pjesëmarrës në të gjitha luftërat për liri. Bashkëshortja e tij, gjyshja e Nasimit, ishte bijë e Tishukëve, familje e njohur atdhetare në Dukagjin e Kosovë.
Babai i tij, Smajl Haradinaj, luftëtar i paepur për të drejtën e shqiptarëve, pjesëmarrës në lëvizjet antijugosllave dhe për bashkim me Shqipërinë, i burgosur politik mbi 20 vjet.
Nana Myzaqet, vëllau Naimi, motrat Shqipja e Naimja, bashkëshortja Xhejlanja, e veçanërisht vëllai i vogël Agroni që vuan nga një sëmundje e rëndë, e kuptojnë dhe e ndjejnë peshën e vendimit të sotëm, sepse nuk janë brezi i parë që përballohen me sfida të tilla.
Bashkëluftëtarë Hysni e Nasim, qëndroni të fortë. Lufta për liri e shtet vazhdon!