Elsi Levendi, i akuzuar për vrasjen e menaxherit të VIP-ave Jurgen Kurti, ëhstë dënuar me 16 vite burg. Ky dënim është dhënë më parë dhe nga Shkalla e Parë por ishte ankimuar, ndaj sot, në përfundim të shqyrtimit të dosjes është vendosur lënia në fuqi.
Menaxheri i njohur i vipave u qëllua me breshëri plumbash mbrëmjen e 18 marsit 2019, në prag të shtëpisë së tij në zonën e Sheshit Wilson.
Ekzekutori dhe i dënuari me 16 vite burg për këtë vrasje, shtetasi Elsi Levendi, ka lindur në Athinë/Greqi dhe banues në Tiranë. Në atë kohë 21 vjeç, sipas togave të zeza, ky shtetas në bashkëpunim me Alesio Berberin, Olsi Qalliaj dhe Klodian Banen kanë kryer vrasjen e Jurgen Kurtit.
Fillimisht Alesio Berberi akuzohej nga Prokuroria për “Mbajtje pa leje të armëve”, Olsi Qalliaj për “Moskallëzim krimi” dhe Klodian Bane për “Përkrahje të autorëve të krimit”.

Mirëpo, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë i rrëzoi këto akuza një vit më parë dhe çështja në ngarkim të tre shokëve/bashkëpunëtorëve të Elsi Levendit u pushua. Familjarët e menaxherit të vipave nuk kanë rënë dakord dhe pas ankimimit të tyre, gjyqtarja Alma Ahmeti ka urdhërua Prokurorinë e Tiranës të riçelë hetimet.
Gjykatës së Apelit në Tiranë i është drejtuar një vit më parë dhe autori i dënuar. Sot 24 vjeç, Elsi Levendi kërkoi prishjen e vendimit të togave të zeza që e kanë dënuar me 16 vite burg.
Kërkesa e tij nuk është pranuar dhe Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka lënë në fuqi dënimin me 16 vite burg. Megjithatë, Elsi Levendi do të përfitojë ulje dënimi për shkak se ka pranuar gjykimin e shkurtuar dhe do të vuajë 10 vite e 8 muaj burg.