Gazi ka filluar të rrjedhë nëpër një tubacion të ri nga Norvegjia në Poloni që do t’i japë Evropës Qendrore dhe Lindore një alternativë tjetër për energjinë ruse. Polonia ishte e varur nga Rusia për dekada derisa furnizimet u ndërprenë në prill pasi ajo refuzoi të paguante faturat në rubla.
Hapja e tubacionit dhe infrastrukturës së re do të thotë se Polonia nuk është më e varur nga gazi rus. Kryeministri polak Mateusz Morawiecki, u shpreh se hapja e lidhjes së re shënoi fundin e dominimit dhe shantazhit të Rusisë në tregun e gazit të Polonisë.
Plani për ndërtimin e tubacionit u konceptua fillimisht më shumë se 20 vjet më parë, por qeveritë e njëpasnjëshme “luajtën kumar” se gazi rus ishte edhe më i lirë dhe i besueshëm. Tashmë, tubacioni i ri që rrjedh në baltik është një moment historik për Poloninë.
Shfrytëzimi i statusit si furnizues monopol nga Rusia për të caktuar çmime të larta dhe më vonë aneksimi i Krimesë në vitin 2014 ndryshoi planet në Varshavë. Vendi miratoi projekte për të marrë gaz nga diku tjetër.
Fillimisht, ajo ndërtoi një terminal për të importuar gaz natyror të lëngshëm nga Katari dhe SHBA, ndërsa tani mund të marrë furnizime direkt nga Norvegjia. Kjo e fundit ka rritur sigurinë e tubacioneve të saj, pas problemeve të fundit me Nord Stream 1.