Artur Mici, shoferi i një furgoni që vinte nga Italia, është arrestuar nga Policia në Portin e Durrësit, pasi në mjetin që ai drejtonte janë gjetur bizhuteri floriri, para dhe një sasi e vogël kokainë, të gjitha të padeklaruara.
Në kuadër të operacionit të koduar “Bizhutë” u kalua për kontroll të detajuar në vijë të dytë automjeti furgon që drejtohej nga shtetasi Artur Mici, 41 vjeç, banues në Tiranë, që udhëtonte nga Italia për në Durrës.
Gjatë kontrollit të detajuar, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në furgon 1900 euro, një sasi e vogël kokainë dhe bizhuteri floriri, respektivisht 177 unaza, varëse, ora, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Durrës, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. M. dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.