Deputeti i zgjedhur i PS, Petro Koçi, ka mbërritur pak minuta më parë në ambientet e Prokurorisë Speciale SPAK, ish-Krimet e Rënda. Politikani i majtë do të japë detaje për akuzat publike që ai ka bërë, se në qytetin e Fierit kriminelët kanë fituar tendera.
Kryetari i PS-së së Fierit do të thotë para prokurorëve për episodet për të cilat ai ka dijeni, se persona të fuqishëm nga bota e krimit kanë marrë tendera, siç është shprehur Koçi, përmes lidhjeve me krerët e institucioneve ose kërcënimeve.
Newsbomb.al ka raportuar tre ditë më parë se, prokurorët e SPAK kanë zbarkuar në Bashkinë e Fierit. Ata kanë marrë tre dosje që kanë lidhje me tenderat e dhënë nga kryebashkiaku socialist Armando Subashi.
Koçi pritet të thotë se cilët janë kriminelët që kanë marrë tendera në Fier. Edhe vetë Prokuroria Speciale çeli hetimet për akuzat, pasi siç ka thënë shefi i SPAK, abuzimet me tenderat janë në fokus të punës së tyre.