Tirana
light rain
16.5 ° C
16.5 °
16.5 °
94 %
4.6kmh
40 %
Hën
19 °
Mar
30 °
Mër
31 °
Enj
29 °
Pre
29 °
E hënë, 25 Shtator, 2023

Flet nënë Zylija: Tregun e kam larg, do vazhdoj të shes në rrugë

Lajme të ngjashëm

Mazreku është rreth 15 km larg qendrës së Tiranës por nëse fotoja e nënë Zylijes s’do të ishte përhapur si virus, rrufeshëm në rrjetet sociale, me gjasë askush s’do të fliste për këtë fshat dhe ca më pak për atë që tanimë njihet si “Nënë Zylija!”

Kjo e diel nuk është ditë pazari për të, pasi jo çdo ditë e ka diçka për të shitur. E që e hëna ta gjejë në treg, i duhet të punojë më parë në serën e saj në Mazrek. “Po bëj labot, po e bëj tufa, po e lidh”, tregon ajo.

Gjobën që e bëri të famshme, s’do e paguajë! Por historia e saj me gjobat ka nisur edhe më herët dhe ndryshe nga shqiptarët që shpërndanë foton e saj, ajo nuk proteston aspak.

“Gjobën e parë e pagova. 5 mijë lekë mo, ça ishte ajo. Kam shit tash sa vjet. Kishin të drejtë të ma vinin gjobën, isha unë fajtore. S’kanë faj ata. Ne nuk shkojmë përdite”, thotë ajo.

Prej kësaj sere, ndërsa është duke punuar, Nënë Zylija komenton atë që ka ndodhur dje.

 “Shkova vetë tek tregu. Atje ishte larg, ata më pritën shumë mirë, me makinë më çuan e me makinë më prunë dhe më thanë zgjidh ku të duash tezgën. Jo i thashë këtej është larg, nuk u dashka gjë”, vijon ajo.

Por më herët se këto imazhe, ka qenë një tjetër që doli nga arkivat. Një fotografi me kandidatin demokrat Halim Kosova, në zgjedhjet vendore!

“Isha duke shitur, Halim Kosova erdhi atje. Më tha mua s’ke për të shitur më, produktet do t’i marrim ne, rri në shtëpi. Jo për të dalë në fotografi, por tha do ti biesh në grumbullim. Unë nuk kam dalë vetë në fotografi”, tregon ajo.

Gruaja në moshë e cila u shndërrua në personazh prej rrjeteve sociale tani e di shumë mirë se ç’është Facebook-u!

“Atë ditë që më gjobitën, unë nuk pashë njeri që na filmoi. Në darkë më thanë të kanë gjobitur se të pamë, ke dalë në facebook”, thotë ajo më tej.

Por tej takimeve dhe fotografive me zyrtarë e politikanë realiteti i saj i vetëm është ky në këtë serë dhe jetesa e saj në këtë mënyrë.

“Ku të shkojmë ne mo, me këto jemi, ku të shkosh. Këtu bëj unë punë, ulur, por për të punuar atje, punon djali. Tokë tjetër s’kemi më, këtë kam, këtë dynym tokë. Ku të shkoj, këtu punoj. Kemi cik pension, pension kooperative dhe ato i marrim ilaçe, 80 mijë mo. Nuk shkoj përditë. Një ditë i bëj, një ditë i shkoj. Kur bën shumë, i bëj 15 mijë-12 mijë. Kur ke më pak”, tregon itinerarin e jetës së saj nënë Zylija.

Por sikur të mos mjaftonte mundi brenda serës, më shumë mund u duhet për të nxjerrë produktet në rrugën kryesore, e për të bërë këtë, duhet të kalojnë përmes kësaj rruge.

“Nuk na ka ndihmuar fare komuna, fare-fare. Me shtru 4-5 makina zhavorr, hiç”, thotë ajo.

Ndërsa qepët janë të mbjella këtu, në shtëpinë e saj ku jetoj me djalin e saj, që është njëri prej 7 fëmijëve të saj. E siç tregon, e gjithë jeta i ka shkuar për të bërë këtë shtëpi.

Përveç familjes së Nënë Zylijes, në këtë fshat sera ka thuajse çdo familje, sepse janë mënyra e jetesës së këtyre banorëve të cilët njësoj si Zylija, çdo ditë udhëtojnë drejt qytetit për të shitur produktet e tyre.

“Ato do të shes. Të shkoj njëherë. Po më përzunë ça të bëj”. /Balkanweb.com/

Më shumë