Deputetët opozitarë, ata të përjashtuarit nga Komisioni i Etikës, nuk janë lejuar nga Garda që të marrin pjesë në punimet e Komisioneve që po zhvillohen këtë të hënë në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.
Ata zgjodhën një mënyrë tjetër për të hyrë brenda, në kushtet kur punonjësit që duhet të kujdesen për sigurinë e tyre kishin bllokuar me dryn e zinxhir hyrjen kryesore, u futën nga dritarja.
Dhe siç thotë populli, kur të mbyllet një derë, një tjetër të hapet, veçse kjo e sotmja ishte dritare. Kamerat e televizioneve që ndodheshin aty, kanë kapur të gjithë momentin e përplasjes në derën e Kryesisë së Kuvendit dhe momentin kur demokratët u futën nga dritarja.
Ervin Salianji ishte mes deputetëve që u fut nga dritarja, por me zor se u ngjit mbi parmak. Dhe për t’i ardhur në ndihmë, aty ishte kolegu Flamur Noka, që duke parë vështirësinë e Salianjit “i dha një dorë” nga të pasmet.
© Të drejtat e pamjeve nga TV Klan/ youtube.com/@televizioniKLAN