Filmi “Zgjoi” i regjisores Blerta Basholli është duke u shfaqur në kinotekën e Jugosllavisë në Beograd, në kuadër të festivalit “Mirdita, Dobar dan”. Numri i serbëve që kanë shfaqur interes për ta parë është i lartë.
Policia serbe është duke qëndruar jashtë objektit, për të ofruar siguri. Edhe gruaja e aktorit shqiptar nga Kosova, Bekim Fehmiu, Branka është aty duke e parë filmin “Zgjoi”
Film tregon për jetën e Fahrije Hotit, një të veje nga Krusha e Madhe, të cilës forcat serbe ia vranë bashkëshortin në luftë. Pas kësaj ajo mbeti e vetme, përballë mentalitetit të një vendi të sapo dalë nga lufta dhe dëshirës e nevojës për të krijuar një jetë të re për vajzën e djalin e saj.
Jetesa e saj me fëmijët e vjehrrin e vështirëson edhe më shumë idenë për të bërë revolucion në atë shtëpi ku babai i burrit të saj është ende i prekur nga zhdukja e të birit dhe nuk bën lëshime shkaku i “katunit”.
E vendosur mes gjithë paragjykimeve, vuajtjeve të shkaktuara nga lufta e fundit në Kosovë dhe nevojës për ekzistencë, Fahrije Hoti fillon biznesin e saj me gratë tjera të Krushës për krijimin e havjarit dhe shitjen e tij.