Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi edhe gjatë kësaj seance plenare nuk ka kursyer ironitë ndaj socialistëve. Teksa vendosi theksin te bujqësia, Korreshi tha se përfaqësues të Partisë Socialiste kanë shkuar në Lushnjë dhe kanë takuar fermerët, mirëpo thjesht kanë bërë nga një “slefie” me ta dhe nuk janë interesuar lidhur me problematikat që ata kanë.
Teksa i ka bërë thirrje të gjithë deputetëve në sallë për të dalë në terren dhe për tu njohur me problemet që fermerët po hasin, deputeti demokrat tha se bujqësia është në ditët më të zeza.
“Mirë do ishte mos të kishin vajtur ata (fermerë) të PS, të kishin dalë dhe nga anët tona, se ka njerëz që jetojnë në këtë shtet dhe që nuk janë nga PS. Ka tre ditë që fermerët dalin në arë për selfie dhe nuk vaditet toka. Prapë se prapë nuk po i shesin dot, dhe grurin dhe misrin. O na tregoni si ndodh që kur bën selfie të ecë situata, ose nuk kemi gjë në terezi. Akoma grurin e kemi nëpër magazinë, nuk është shitur sepse duhet të pyesni sa është kuintali. Iku gruri erdhi misri… Pyesin nga Lushnja, ore kush i mori këto subvencionet? Pse u ndanë tollonat e naftës vetëm një ditë para zgjedhjeve, ka dhe një kallëzim nga unë për këtë? Verifikojeni! Bujqësia është në ditën e saj më të zezë. U ftoj të dilni një ditë me mua që të shikoni situatën.
Dhe këto inputet nga Tirana, po si ka mundësi që si fiton një lushnjar?!… Dhe një këshillë për ministrin e Lushnjes, tani që u bë Ministër (i referohet Taulant Ballës), se ne jemi si të trembur vetë, ne nga Lushnja, nuk ka nevojë të na bërtisni me policë rrugëve”, tha ai.
Pas Korreshit, deputeti socialist, Erion Braçe tha se kur shkojnë në fshat nuk i kanë kërkuar askujt testerën e partisë dhe theksoi se në sallën e Kuvendit ka deputetë që kanë përfituar më tepër se ata në Lushnjë, duke drejtuar gishtin kështu edhe nga Korreshi, ku sipas deputetit ai është një ndër personat që ka përfituar më tepër.
“Kur shkohet në fshat nuk i kërkohet kujt testere. Këtu kanë përfituar ca në këtë sallë më tepër se këta në Lushnjë. Ti je i pari që ke përfituar. Kujt si ka pëlqere bostan ie rrushi le të presë sezonin e preshit se është shumë afër”, tha ndër të tjera Braçe.
Më tej Korreshi replikoi me Braçen duke thënë se deputetët demokratë kanë kërkuar një komision hetimor për të kuptuar se ku kanë shkuar lekët.
“Ka një 12 vjet që po rruhen lekët dhe nuk është derdhur asgjë në buxhetin e shtetit…. kemi kërkuar një komision ne, të shohim sa lushnjarë dalin aty mo aman, të shohim kush ka marrë naftë dhe kush jo”, tha ai.