Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, në një deklaratë drejtuar qytetarëve por sidomos mbështetësve të Partisë Socialiste, u dha dy lajme të mira këtyre të fundit.
Lajmi i parë i mirë kishte të bënte me rezultatet e Exit Polleve, për të cilat Veliaj tha se nxjerrin fituese PS-në me 71-72 mandate, ndërsa lajmi i dytë ka të bëjë me projeksionet që ka Partia Socialiste, që tregojnë se kjo forcë politike merr më shumë se 72 mandate.
“Ka qenë një ditë e gjatë, e bukur, frytdhënëse dhe mezi presim ta mbyllim me numërimin e votave.
Lajmi i parë i mirë që morëm, të gjitha EXIT POLL-et na kanë nxjerrë fitues me 71-72 mandate. Lajmi i dytë më i mirë, është që projeksionet tona janë më shumë se 72 mandate. Por si projeksionet e exit polleve, si tonat që janë më shumë se aq, do duhet të presin procesin e numërimit. Dua të falenderoj komisionerët, vëzhguesit dhe patronazhistët, por në finale do duhet të presim përfundimin e numërimit. Duhet të tregojmë durim teksa fitorja në kutittë e votimit të numërohen. Vota është kontratë e shenjtë. Të gjitha sondazhet nxjerrin Partinë Socialiste forcën fituese. Duhet të kemi të qartë numrin e mandateve dhe t’u shtrijmë dorën atyre që na ndihmuan dhe kundërshtarëve tanë”, tha Veliaj.