
Një ngjarje e rëndë e cila mund të ishte mbyllur me pasoja më të mëdha është regjistruar ditën e sotme në qytetin e Fierit.
Një 33-vjeçar i cili kishte aplikuar për punë si mësues në portalin “Mësues për Shqipërinë”, por nuk kishte fituar, ka menduar të hakmerret duke i vënë flakën godinës së Drejtorisë Arsimore.
Indrit Alushaj hyri në katin e dytë rreth orësh 15:00 dhe e spërkati me benzinë, e më pas i vuri flakën. Policia e identifikoi përmes kamerave të sigurisë dhe për pak minuta ka bërë të mundur arrestimin e tij.
Njoftimi i policisë
Policia e Fierit ka vënë në pranga një 33-vjeçar si autor të zjarrvënies në Drejtorinë Arsimore Fier.
Sipas policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, bënë të mundur zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen në kohë rekord të autorit të kësaj ngjarje, i cili për motive të dobëta, i ka vënë zjarrin katit të dytë të DAR Fier duke e spërkatur fillimisht me lëndë djegëse (benzinë).
Është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Fier autori, shtetasi I. A., 33 vjeç, banues në Fier, dhe po kryhen veprimet procedurale.