Korrupsioni në nivelet e larta shtetërore u vu një vit më parë në qendër të politikës amerikane për t’u ndaluar të gjithë ligjvënësve hyrjen në SHBA. Vangjush Dako dhe Tom Doshi ishin politikanët e parë që provuan sanksionimin amerikan. Pas tyre do të ishte ish-kryeprokurori Adriatik Llalla.
Ama politika shqiptare “e humbi tekstin” një vit më parë kur një deklaratë e papritur e Sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinken, njoftoi se ish-kryeministri Sali Berisha dhe familja e tij ishin shpallur “non-grata” dhe nuk mund të shkelin më në tokën amerikane.
Kur ka kaluar pak më shumë se një vit nga kjo ngjarje që trazoi politikën shqiptare, një tjetër goditje është përgatitur për politikanët dhe biznesmenët shqiptarë, që janë përfshirë në korrupsion në nivele të larta në dëm interesave të Shqipërisë.
Newsbomb.al mëson ekskluzivisht se sot Ambasada Britanike do të njoftojë për herë të parë sanksionimin si persona “TË PADËSHIRUAR” për 27 politikanë dhe biznesmenë në botë dhe nga Ballkani Perëndimor. Mes tyre ka dhe nga Shqipëria.
“[…] ne si Mbretëri e Bashkuar po intensifikojmë përpjekjet tona për t’i shkëputur lidhjet mes politikës, biznesit dhe aktiviteteve të paligjshme si në botë ashtu edhe në Ballkanin Perëndimor. Mbështetur mbi Regjimin tonë të Sanksioneve Globale Anti-Korrupsion ne kemi listuar 27 individë të përfshirë në korrupsion serioz në mbarë botën”, ka thënë Sir Stuart Peach, i Dërguari i Posaçëm i Kryeministrit britanik në Ballkanin Perëndimor.
Një regjistër i ri i Subjekteve Jashtë Vendit do të krijohet mbi Aktin e Krimit Ekonomik, që u kërkon të gjithë atyre që fshihen pas kompanive të huaja dhe që zotërojnë prona në Mbretërinë e Bashkuar të bëjnë publik identitetin e tyre.
Pasditja e kësaj të enjteje pritet të “trazojë” përsëri politikën shqiptare, një vit pasi amerikanët i ndaluan kalimin e Paqësorit Sali Berishës dhe të tjerëve, para dhe pas tij, duket se një pjesë e ligjvënësve nga Shqipëria që janë përfshirë në korrupsion nuk do kalojnë dot as Atlantikun.

Sir Stuart Peach edhe në deklaratën e tij e ka bërë me dije se këtë javë marrë ndërmarrë veprime frenuese kundër disa individëve shqiptarë në lidhje me krimin dhe korrupsionin, të publikuara gjerësisht dhe të dokumentuara.
“Këtë javë, ne ndërmorën veprime frenuese kundër disa individëve shqiptarë me lidhje të me krimin dhe korrupsionin, të publikuara gjerësisht dhe të dokumentuara. Kjo është vala e parë e një serie veprimesh për të inkurajuar llogaridhënien dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Detajet e këtyre veprimeve nuk mund të bëhen gjithnjë publike”, ka vijuar Sir Stuart Peach.
Kjo është hera e parë që Europa nxjerr një listë “non-grata” për politikanë të përfshirë në aktivitete të ndaluara. Se cilët do të jenë emrat në listën e gjatë britanike për Shqipërinë, kjo do të shihet pasditen e sotme, nëse selia diplomatike në Tiranë do të zgjedhë sigurisht t’i bëjë publik një nga një politikanët shqiptarë që e kanë të ndaluar Londrën.
I Dërguari i Posaçëm i Kryeministrit britanik në Ballkanin Perëndimor merr shembull dhe zgjedhjet e 25 prillit 2021, shkruan newsbomb.al. Sipas tij, blerja e votës dhe keqpërdorimi i fondeve publike vazhdon të jetë një problem madhor në politikën shqiptare.
“Për aq kohë sa politikanët janë në gjendje të bashkëpunojnë me kriminelët për të blerë, shantazhuar dhe kanosur votuesit, demokracia shqiptare do të mbetet e brishtë dhe e paplotë. Krimi i organizuar dhe korrupsioni në Shqipëri dhe më gjerë në Rajon nënkuptojnë se pjesa më e madhe e fondeve publike, të mbledhura nga taksapaguesit e thjeshtë, nuk arrin kurrë tek shkollat, spitalet dhe rrugët që u nevojiten qytetarëve, të cilët të mund të krijojnë një shoqëri të shëndetshme dhe të begatë.”
Sir Stuart Peach shprehet se qytetarët shqiptarë do të kenë mbështetjen e Britanisë së Madhe, në rrugën e tyre për të ndërtuar një shtet të së drejtës që të gjithë dëshirojnë. I Dërguari i Boris Johnson shprehet i bindur se askush s’do jetë mbi ligjin në Shqipëri.
“Mesazhi i Mbretërisë së Bashkuar për të gjitha ata që janë përfshirë në krim apo korrupsion është ky; promovimi i krimit dhe korrupsionit, qoftë në Ballkanin Perëndimor apo gjetkë nuk do të jetë pa pasoja dhe ju nuk do të jeni të mirëpritur në Mbretërinë e Bashkuar. Individë të tillë dëmtojnë shoqërinë dhe shtetin e tyre. Qoftë përmes sanksioneve, masave ndaj emigracionit apo politikave të mosangazhimit, Mbretëria e Bashkuar do të veprojë për të çrrënjosur korrupsionin dhe krimin e organizuar.”