Kryeministri Edi Rama ka sulmuar sot përmes një shënimi në Twitter ish-kryeministrin Sali Berisha. Ai thotë se kryetari i PD nuk ka votuar rezolutën e djeshme, e cila kaloi me 125 vota në Kuvend, kundër raportit të Dick Marty për trafikim organesh gjatë luftës së Kosovës.
Mirëpo, Rama e quan Berishën dhe si “një të damkosur non-grata jo vetëm nga SHBA”. Neësbomb.al publikoi dje ekskluzivisht lajmin se edhe Britania e Madhe kishte shpallur persona të padëshiruar për shkak të lidhjeve me krimin dhe korrupsionin, për 27 politikanë dhe biznesmenë në gjithë botën.
Mesa duket, kryeministri ka informacion se në këtë listë nga Shqipëria është dhe Sali Berisha, pavarësisht se deri tani emrat nuk janë publikuar, por që vetë i dërguar i kryeministrit britanik ka pohuar se në listën e “non-gratas” ka dhe persona nga vendi ynë.
“Mosvotimi dje në Kuvend nga ana e të damkosurit si NonGrata (tanimë jo vetëm nga SHBA) i rezolutës për hedhjen poshtë në mungesë totale provash të raportit të Dick Marty, është një tjetër arsye neverie për politikën pa din e iman të kinse patriotëve kundër Kosovës! FLM të tjerëve!
Sa për dokrrat e tjera turbopatriotike, që e kanë kthyer politikën e jashtme të Kosovës në politikë të brendshme të Kosovës e Shqipërisë bashkë, Partia Socialiste e Shqipërisë as nuk i ka prodhuar as nuk i prodhon, as i ka çmuar e as i çmon ndryshe përveçse si kotësisht të dëmshme”, shkruan Edi Rama.