Një mbrëmje plot emocione ka qenë ajo e natës së kaluar në Përmetin e kulturës. Një natë speciale, teksa u bë më e bukur në momentin kur kryetarja e Bashkisë, Alma Hoxha, u ngjit në skenën e festivalit ” Nona” dhe dha lajmin që e madhja Mimika Luci, tashmë është ” Qytetare Nderi” e bashkisë që ajo drejton.
Përpara dhjetra bashkëqytetarëve të aktores së madhe Mimika Luca, por edhe vizitorësh të shumtë vendas dhe të huaj, Hoxha lexoi motivacionin për artisten, e cila u nda nga jeta në shkurt të këtij viti duke lënë pas një galeri të larmishme të roleve në teatër dhe film.
Ajo tha se festimet në Përmet këtë verë për gjyshen dhe nonën, kulmuan me dhënien e këtij titulli, për njeriun që i jep më shumë vlera Përmetit dhe gjithë nënave dhe gjysheve shqiptare, me artin dhe jetën e saj si një model i nënës dhe femrës shqiptare.
I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe djali i aktores, Gjergj Luca, i cili falenderoi Bashkinë e Përmetit për këtë vlerësim që iu bë nënës së tij në “Ditët e Nonës”. Për artistin, tashmë biznesmen i sukseshëm, të qenit përmetar është një privlilegj.
Luca vlerësoi aktivitetin që po bëhet në Përmet, duke shtuar se sot më shumë se kurrë flet me nënën e tij në qiell, sesa kur e kishte përballë. Ai shkoi më tej duke kërkuar në emër dhe me zërin e përmetarëve që një nga figurat më të ndritura të kombit, rilindasi Sami Frashëri, paraardhësi i tij, të prehet në Përmetin e tij, duke ia shtuar dhe më shumë vlerat e qytetit të kulturës dhe dijes.
Gjithashtu, në këtë ceremoni nuk kishte si të mungonte as regjisori dhe skenaristi i njohur, Leka Bungo, i cili ka qenë ndër të parët që ka punuar me aktoren, duke qënë më pas edhe një mik i pandarë i familjes Luca.
Mes lotëve dhe emocioneve të forta ai risolli në vëmendje personalitetin e Mimikës, si aktore e skenës dhe ekranit, si dramaturge e pedagoge në Universitetin e Arteve, ku la gjurmë të pashlyeshme tek kolegët dhe studentët e artit.
E madhja Mimika Luca u nda nga jeta më 21 shkurt të këtij viti, 2023, pas një vizite të fundit që bëri në Gjirokastër dhe në teatrin “Andon Zako Çajupi”. Mimika nuk ishte vetëm një aktore brilante, por ishte modeli i një gruaje dhe nëne të përkushtuar dhe dinjitoze.
Mimika Luca lindi më 24 dhjetor të vitit 1937, në Gjirokastër, dhe është ndër aktoret më të njohura të skenës dhe kinemasë shqiptare. Në “portat e artit” ajo trokiti si balerinë , por shpejt tek Mimika regjisorët dhe njerëzit e artit të kohës spikatën aktoren e ardhshme , dhe ajo mënjëherë u bë pjesë e tetarit dhe filmit, falë dhe bashkëshortit të saj aktorit të madh Ndrek Luca, të cilit iu bë krah në jetë dhe në art. Ajo u bë modeli i artistes fjalëpak dhe punëshumë. Sot kolegët e kujtojmë me respekt e nostalgji, këtë grua e nënë në jetë dhe skenë, që i dha emocione spektatorit dhe emancipoi skenën shqiptare.
Mimika Luca ka interpretuar në 12 filma artistikë dhe mbi 30 role në teatër. Kontribuoi shumë në krijimin e shkollës së artit shqiptar me mbi 14 vite si pedagoge në ish- Insitutin e Lartë të Arteve. Arti i saj përgjatë gjithë këtyre viteve bëri për vete spektatorin që sot e kujton me mall.
© Fotot e marra nga profili i Gjergj Luces