Kryeministri Edi Rama ka folur me superlativa për homologun shqiptar të Malit të Zi, i cili ndodhet këtë të premte në Tiranë dhe është nderuar me titullin “Doctor Honoris Causa”. Ai e ka quajtur privilegj njohjen dhe miqësinë me Dritan Abazoviç.
“Jam i vetmi në këtë sallë, përfshi dhe kameramanët, që nuk kam master. Shpresoj që do jeni zemërgjerë dhe do bëni skonto duke më toleruar nivelin e ulët akademik që kam. Por përtej kësaj, besoj do ishte mungesë sinqeriteti të thosha që e kam lexuar librin.
Nuk e kam lexuar se e kam marrë para dy ditësh. Por ishte një surprizë e bukur, se nuk e dija që Dritani do ishte kaq thellë në këtë fushë.
Unë jam këtu për t’ju thënë fjalë që nuk do jenë domosdoshmërisht për librin, por për autorin dhe shpresoj do ndihmojmë që të jeni më të nxitur që ta merrni dhe lexoni librin.
Për të bërë këtë, bëra atë që bëhet zakonisht kur nuk ke lexuar librin, e hapa në fillim, në mes dhe në fund. Unë jam shumë i privilegjuar të jem mik i Dritan Abazovic. Ai është një fenomen në politikën ballkanike, krejt i veçantë dhe i pakrahasueshëm me askënd tjetër”, u shpreh kryeministri Rama.
Ceremonia është duke u zhvilluar në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, ku mes intelektualësh, politikanësh dhe profesorësh, Dritan Abazoviç ka marrë titullin “Doctor Honoris Causa.
Po ashtu, është prezantuar dhe libri i tij “Kritika e Etikës Globale”. Në fjalën e tij Rama tha se nuk e kishte lexuar librin sepse e kishte marrë vetëm dy ditë më parë, por u shpreh i surprizuar për homologun shqiptar të Malit të Zi. Ai nuk kurseu as batutat kur tha se ishte i vetmi pa master.