Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Zveçla kanë bërë bilancin e armëve dhe municioneve të sekuestruara nga Manastiri në Banjskë të Zveçanit.
Në një konferencë për mediet, Hoxha tregoi numrin dhe sasinë e sendeve luftarake të cilat ishin në posedimin e kriminelëve serbë në veri të Kosovës. Gjithashtu, kreu i policisë tregoi detaje mbi operacionin në Urën e Banjskës këtë të diel, ku nga sulmi terrorist i serbëve, humb jetën efektivi Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë.
Ai deklaroi se policia ka pastruar zonën e manastirit rreth orës 15:30 ku gjatë operacionit ka arrestuar dy persona të cilët ishin të armatosur me uniforma. Njëri nga të arrestuari ka qenë i plagosur dhe është dërguar në QKUK për trajtim, tregon Hoxha.
Gjithashtu, shefi i policisë kosovare tregoi se gjatë ekzaminimit janë gjetur edhe trupat e tre personave të vrarë, të dyshuar serbë.
Në fjalën e tij për mediet ai njoftoi se janë gjetur:
- 24 automjete
- 1 mjet i blinduar
- 2 motorrë
- 8 mina kundër këmbësorisë
- 29 zolla të mbushura dhe të përdorura 7,54 mm
- Minahedhës 32mm
- Predhë minahedhës 62 mm
- 83 copë granata dore
- 75 mina antitank
- 8 copë eksplozivë dinamit 150
- Detonatorë elektrik 2
- 1 Armë e kalibrit rëndë
- Armë e gjatë mitraloz 6 copë
- AK 47, 18 copë
- Karikatorë për AK 47, 235 copë
- 21 jelekë antiplumb
- 3 dronë
- Sasi e madhe e municionit të kalibrave të ndryshëm
- 15 dylbi nate
- 32 radiolidhëse
- 4 kamera
- 107 çanta ushtarake
- 115 uniforma
- 4 harta sateliti
- 20 kazma
- 8 sopata
- 3 motorr sharra
- 4 sharra dore
- Barrela, ushqime të shumta e medikamente
- 32 telefona
- Kartmonedha të ndryshme