Mbi 1000 kandidatë për ekspertë janë afruar pranë komisionit të reformës në drejtësisë që është ngritur në Parlament. Vasilika Hysi, e dha lajmin në studiot e Ora News, duke përmendur se ekspertë kanë sjellë shkolla e Magjistraturës, pedagogë të juridikut, Gjykata Kushtetuese, Prokuroria, Shoqëria civile, dhoma Kombëtare e Avokatisë etj.
Komisioni i reformës në drejtësi që do të drejtohet nga Fatmir Xhafaj, ende nuk ka marrë pjesë opozita e cila ka kërkuar të drejtën e vetos dhe bashkëkryesimin e këtij komisioni.
“Kjo është e pamundur, sepse në kuvend ka regullore sesi votohen komisionet e posacme dhe procedurat”, tha Hysi në studion e Ora News.
Ndërkohë zonja Hysi tha se maxhoranca mund të kishte kaluar shumë ligje për shkak të votave që ka në parlament, por gjithmonë kanë qenë të bindur se reforma në drejtësi, e cila do të duhet të zgjasë edhe për 30 apo 40 vjet, nuk mund të bëhet pa konsensusin e opozitës.
Për këtë arsye edhe zyrtari I lartë i Komisionit të Venecias që mbërriti në Tiranë sot në mesditë u prit nga kreu i komisionit Fatmir Xhafaj, por u takua edhe me zyrtarët e opozitës, duke theksuar se kërkohet vullnet dhe dëshirë për reformën.
“Do të ngrihen disa grupe ekspertësh, sqaron Hysi. Ata që do të bëjnë propozimet për gjykatën e lartë, ata që do të bëjnë propozimet për Kushtetuesen, për KLD, për prokurorinë e kështu me rradhë. Ne do të marrim vetëm mendimin e ekspertëve dhe më pas do vendosim. Sigurisht, një nga grupet do të ketë në fokus edhe ndryshimet kushtetuese”, tha Hysi.