Tirana
clear sky
21.5 ° C
21.5 °
21.5 °
49 %
4.6kmh
0 %
Die
21 °
Hën
29 °
Mar
28 °
Mër
28 °
Enj
29 °
E diel, 1 Tetor, 2023

DOSSIER/ Ditari i Gazetarit: Si e njoha profesor Servet Pëllumbin, nga ngjarjet në komunizëm, te posti i kryetarit të Kuvendit

Lajme të ngjashëm

Nga Hamdi Jupe

E pashë për herë të parë në verën e vitit 1981, kur dhashë provimin pasuniversitar të filozofisë. Një burrë rreth dyzetë e pesë vjeç, me trup të drejtë, i veshur me sqimë, me flokë të prera shkurt që kishin filluar të merrnin paksa nuanca gri, me gjyslikë me skelet metalik inoksi në sy, me një pamje gjithë fisnikëri. Siç mësova më vonë, kur ishte kthyer nga studimet universitare në San Petërburg, filozofi i ri shqiptar nga një fshat i Korçës, krahas diplomës me nota të larta, kishte sjellë me vete edhe dyzetë kollaro, natyrisht jo për tregti.

U ktheva në Dibër ku do të qëndroja edhe për gati dhjetë vjet të tjera si mësues. Atëhere nuk e dija se pas njëzetë vjetësh,  pikërisht në fillim të vitit 2002, do të takoheshim përsëri nën të njejtën “çati”, atë të ish – Komitetit Qendror, ai në postin e kryetarit të Kuvendit, ndërsa unë në atë të shefit të kabinetit të tij.

Bojkotimi i gazetës së Partisë

Gjatë vitit 1990 kishin ndodhur tronditje të mëdha që filluan me dy korrikun. Megjithatë, vendi nanuritej ende në dilemën e ujërave të turbullta: “as lindje as perëndim”, jemi për “pluralizmin e mendimit, por jo për pluralizmin politik” etj. Në gazetën “Zëri i popullit” ku punoja, më ngarkuan të organizoja një bisedë në redaksi me intelektualë të njohur me temë “Debati si domosdoshëri për shoqërinë”. Në listën e intelektualëve të ftuar ishte edhe Dr. Pëllumbi. Kishte botuar disa artikuj interesantë në shtypin e kohës në të cilët theksohej nevoja e “reformave demokratike”, slogan ky i përdorur  dendur atëherë.

Te porta po prisja të ftuarit, intelektualë te njohur si Sali Berisha,  Fatos Nano, Luan Omari, Alfred Uçi etj, duke u dridhur nga emocioni nëse do të vinin apo jo. Ishte koha kur gazeta kryesore komuniste po humbiste terren dhe po braktisej prej intelektualëve. Ja ku u duk në trotuar profesor Serveti. U gëzova pa masë. Ky është burrë për së mbari, mendova. Shenjë e mirë kjo për aktivitetin e planifikuar. Por isha gabuar. Porsa u përshëndetëm, profesori foli:

– Më falni, por unë nuk mund të vij në bisedë. Kam humbur shumë orë mësimi në universitet dhe prandaj më duhet të shkoj. – Më dha dorën dhe u largua. Mbeta thellësisht i zhgënjyer. Prej të tjereve edhe mund ta prisja të mos vinin, por për profesorin, jo. Çfarë kishte ndodhur? Mos vallë nuk ishte dakord të ulej në një tryezë me të ftuarit e tjerë, të cilët e dinte se kush ishin? Më vonë e mësova.

Në fillim të nëntorit  profesori i kishte dërguar një letër Ramiz Alisë ku i shtronte nevojën e reformave të thella demokratike. “… shoqëria jonë objektivisht po shkon drejt nevojës së pranimit të pluralizmit politik, përfshi edhe atë partiak…”(Pëllumbi: “Dritëhije të tranzicionit”) Alia ishte revoltuar aq shumë nga kjo kërkesë, saqë letrën e Pëllumbit ia kishte dorëzuar ministrit të bredshëm Isai me shprehjen: “Ja se kush po na jep leksione për pluralizmin tani! ” Këtë Isai ia kishte thënë Pëllumbit në një takim që kishte patur me të. Me sa duket, kjo ishte arsyeja e vërtetë e pezmit dhe e refuzimit të tij ndaj gazetës së partisë, jo orët e mësimit, siç ishte shprehur. Mbeta i ngrirë në trotuar, në pritje të intelektualëve të tjerë të ftuar. 

Udhëheqës i së majtës demokratike shqiptare

Pëllumbi vazhdoi të angazhohej për reformimin e së majtës shqiptare, në kushtet e reja të pluralizmit politik të saposhpallur. Ai kishte patur një traumë të madhe familiare në vitet e fundit të diktaturës, kur i kishin burgosur vëllanë, i shpallur  “armik i popullit”, i akuzuar me grupin e Kadri Hazbiut. Kuptohej gjendja psikologjike e tij në atë periudhë. Në këto rrethana, ai mund të bashkohej shumë lehtë me opozitën e sapokrijuar. Por ai qëndroi me të majtën, sepse si intelektual që ishte, e dinte që i përkiste asaj klase shoqërore, e cila do të ishte tani pjesë e pluralizmit politik shqiptar. Prandaj ajo duhej reformuar dhe aftësuar teorikisht dhe në terrenin praktik, për të konkurruar me sukses në betejat e ardhshme elektorale. E kush mund ta bënte më mirë se Dr. Pëllumbi këtë?

Ai vazhdoi të shkruajë dhe të flasë, duke u bërë kështu truri, por edhe tribuni i së majtës shqiptare. Ai foli edhe në Kongresin e Dhjetë dramatik të Partisë së Punës, ku lindi Partia Socialiste. Për këto arsye, kryetari i sapozgjedhur i partisë Nano, sapo doli në presidiumin e mbledhjes, theksi: “E pranoj postin e kreut të  Partisë, me kusht që t’i zgjedh vetë shokët që do të kem në krah. Këta janë: Servet Pëllumbi” etj. etj. Në këtë mënyrë Pëllumbi nuk u kufizua në “ngastrën” teorike të filozofisë, por pranoi të marrë përsipër edhe rolin e udhëheqësit praktik të forcës së re politike, duke lëvizur në të gjithë Shqipërinë herë me këmbë e herë me makinë, edhe pse në moshë jo fort të re. 

Pëllumbi ishte ideologu i partisë së re socialdemokrate që po ngrihej mbi gërmadhat e Partisë së Punës. Ai udhëhoqi përpjekjet për shkëputjen përfundimtare të saj nga e kaluara komuniste në vjeshtën e vitit 1991, kur u organizua Aktivi Kombëtar i Partisë, për të sanksinuar pikërisht këtë shkëputje me të vjetrën. Nuk ishte e lehtë të ndodhte kjo, sepse ishte ende e freskët propaganda komuniste pesëdhjetë – vjeçare , por partia ia doli në krye.  Meritë të veçantë për këtë ka profesor Pëllumbi.

“Nuk jam dakord me dorëheqjen e Nanos”

Partia Socialiste e sapodalë nga pelenat, u paraqit keq në zgjedhjet parlamentare të 22 marsit të vitit 1992, me  rezultat vetëm 26 përqind. Që do të humbiste, kjo pritej, por aq thellë, jo. Mazhoranca e re do të kishte dorë të lire të bënte veprime aventurore në dëm të vendit dhe të demokraicë, siç edhe ndodhi. Kjo humbje kishte bërë të pallakoste zia në parti.

I ngarkuar me emocione negative prej humbjes,  në diskutimin tim në analizën e saj në KPD kërkova dorëheqjen e kryetarit Nano nga drejtimi i partisë. Kjo nxiti një debat që e shtyu mbledhjen edhe katër orë të tjera me diskutime rreth asaj nëse duhet të ikte apo jo kryetari. Shumë e mbështesnin kërkesën e largimit. Për të qetësuar disi situatën, në fjalën e tij Dritëroi ndër të tjera Dritëroi:  “Tani, kështu do vazhdojë kjo punë, herë do fitojmë ne, herë do fitojnë ata. Kjo është demokracia.” Ishte një thirrje  për vetëpërmbajtje në kushtet e traumës psikologjike të shkaktuar nga humbja.

E mori fjalën edhe nënkryetari Pëllumbi, i shqetësuar nga drejtimi që po merrte mbledhja. “Nuk jam dakord me dorëheqjen e kryetarit. E kam për nder të punoj me Nanon” – tha ai, në një mënyrë ndoshta të panatyrishme për të, por e nevojshme për të kapërcyer situatën e tensionuar. Ai vazhdoi të argumentojë me urtësi qëndrimin e tij, se humbja e thellë nuk ishte vetëm përgjegjësi e kryetarit etj. Gjëja më e lehtë në atë situatë ishte ta flakje tej kryetarin për humbjen, por kush tjetër do ta merrte përsipër ta drejtonte partinë – gërmadhë  pas humbjes?  Nëntë muaj më parë në Kongresin e Dhjetë, ishin berë tre orë përpjekje për ta bindur ta merrte përsipër atë detyrë. Kujt do t’ia varnim tani “këmborën” e rëndë të saj? Ky mendoj, ishte mesazhi “midis reshtave” i diskutimit të të Pëllumbit.

U binda që e kisha tepruar me kërkesën time. Kryetari kishte pak kohë në detyrë dhe partia ishte ende e hallakatur në fillimet e saj. Nano mbeti kryetar. Ishte herët për të kërkuar koka turku.  Mbledhja u mbyll pa “gjak”, por edhe Nano e mori një leksion të mirë: një parti që pretendon të vijë në pushtet, nuk drejtohet me “tra – la – la”. Ky  ishte mesazhi  i analizës. Pëllumbi kapi çastin historik dhe shpëtoi partinë nga pasojat e parashikuara. 

Energjia që vjen nga populli

Sa kohë ishte nënkryetar partie, Pëllumbi priste në zyrën e tij vazhdimisht njerëz të kategorive të ndryshme nga i gjithë vendi. Ata ishin burim informacioni dhe frymëzimi për të. Por edhe ata dilnin nga zyra e tij me një optimizëm të ri, në kushtet e pesimizmit të përgjithshëm të shoqërisë. Ishte e habitshme se si filozofi i kadedres se universitetit mbante kaq shumë lidhje me njerëzit e “vulgut”. 

Ai mbante në sirtarin e tavolinës disa skeda dhe, sa herë i dukej se bashkëfolësi jepte një fakt ose një ide interesante, e hidhte atë në një skedë të posaçme, me mendimin se do t’i vlente një ditë për një fjalim, diskutim ose një vendim që do të merrej. Këtë punë bënte rregullisht edhe kur lexonte gazetat, aq sa kishte njerëz që e ironizonin: “Ama, do fitojmë pushtetin me skedat e profesorit tani!” Profesori nuk tutej, e kishte metodë pune. Çdo fakt dhe ide interesante e hasur në to e frymëzonte për punë. Pse jo, edhe për studimet e ardhshme politike, filozofike e socialogjike që zunë vend në librat e tij.  Në tetëmbëdhjetë libra të botuar prej tij gjatë gjashtëmbëdhjetë viteve pas vitit 2000, e ke të vështirë të dallosh se ku mbaron politikani dhe ku fillon filozofi dhe anasjelltaz. Aq të ndërthurua janë ato me njera – tjetrën.

Ndër këta njerëz që priste në zyrën e tij kishte edhe nga ata që propozonin të ngrihemi në protesta revolucionare dhe ta rrëzojmë me dhunë “qeverinë e poshtër” të  Berishës etj. Ky ishte rreziku kryesor i radikalizimit të së majtës, veçanërisht pas burgosjes së liderit të saj Nano, gjë që do ta çonte atë në humnerë. Jo, thoshte profesori, dhuna është e papranueshme në demokraci, prandaj do presim të vijnë zgjedhjet dhe atje do ta ndryshojmë situatën me anë të votës.

Botuar në gazetën “Panorama”, 14 dhjetor 2021

Më shumë