Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka folur sot për aferën e inceneratorëve, duke thënë se ka dorëzuar në SPAK të gjitha provat filmike dhe se ishte thirrur në cilësinë e personit që ka bërë kallëzimin për këtë çështje.
Ajo u shpreh në një intervistë “News24” se nuk do të ndalet dhe do të vazhdojë me faza këtë çështje. Sipas saj inceneratori i Tiranës është një skenë krimi, ku vazhdojnë paguhen para çdo ditë. Kryemadhi shtoi se SPAK duhet të veprojë tani dhe pse e ka të vështirë përballë kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj.
“Unë u thirra në SPAK në cilësinë e kallëzueses. Dorëzova në SPAK të gjitha provat filmike. Duhet të ndërpriten pagesat për inceneratorin e Tiranës, është një skenë krimi. Unë kësaj gjëje do t’i shkoj deri në fund se duhet sjellë një model i ri, për tu ballafaquar, jo për t’i përdorur si gjoba. Nuk ka diferencim dhe riciklim të mbetjeve.Çështjen e inceneratorit unë do ta vazhdoj me faza.
Unë mendoj se SPAK duhet të veprojë dhe pse e di që e ka të vështirë, që përballë Ramës dhe Veliajt. Kam besim se për të shpëtuar imazhin e tyre, më e pakta që mund të bëjë SPAK është ndërprerja e pagesave. Në ditë paguhen 30 euro për 1 ton. Për inceneratorin e Fierit dhe të Elbasanit janë kontrata që kanë mbaruar. Për Tiranën është rast tjetër, pasi ka të bëjë me një skenë krimi që do të vazhdojë për 30 vite.”, u shpreh Kryemadhi.
E pyetur nëse Partia e Lirisë ka prova të reja për këtë aferë, Kryemadhi pohoi se: “Patjetër. Historia e gjithë këtij investigimi, që në 3 mars, e kam thënë haptazi se do i shkoja deri në fund. Por u bë 2 vite e ca q e ndjek këtë çështje deri në fund.”