Detaje të reja janë publikuar nga dosja hetimore në lidhje me tenderin korruptiv të Ministrisë së Brendshme për uniformat e policisë, ku u arrestuan 9 zyrtarë dhe ish-zyratrë të kësaj ministrie.
Sipas dosjes hetimore, drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, e ka kundërshtuar kompaninë që fitoi tenderin, pasi ka parë që tenderi kishte disa probleme, duke filluar nga sasitë e uniformave dhe deri te çmimi i tyre, disa herë më i lartë se ai i tregut.
Në datën 20 gusht 2020, Ardi Veliu i ka dërguar një shkresë Agjencisë së Blerjeve të Përqëndruara, ku thotë se ka mospërputhje në çmime, pasi një këmishë me mëngë të gjata kushton më lirë se një këmishë me mëngë të shkurtra.
“Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, me shkresën Nr.5249 Prot, date 20.08.2020, i është drejtuar Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, të cilës i ngre problematika në lidhje me disa elemente të zbatimit të kontratës, konkretisht për sa i përket dorëzimit të mallit, kolaudimit të mallit, sasitë e pritshme, pajisjet e sistemit elektronik të shpërndarjes, mirëmbajtja e sistemit elektronik, si dhe çmimet e ofertuara. Ne lidhje me këto të fundit, ngrihet shqetësimi se nga çmimet e ofertuara nga operatori ekonomik i shpallur fitues për këtë procedure rezulton se janë ofruar tre çmime të ndryshme për të njëjtin artikull, që ka vetëm një specifikim teknik. Ekziston një mospërputhje midis logjikes së prodhimit dhe çmimit të ofruar, si në rastin ku një këmishë me mëngë të gjata kushton me pak se ajo me mëngë të shkurtra, këmisha për meshkuj kushton më shumë se ajo për femra, kostumi i motoçiklistit (me 9 pllakëza mbrojtëse) kushton me pak se kostumi i patrullës, xhupi treçerekësh kushton më pak se xhupi i shkurtër, këpuca gjysmë dimërore, kushton më shumë se këpuca taktike. Gjithashtu vërehen ofertime të çmimit më të lartë kur sasia e prodhimit është më e madhe, gjë që në industrinë e prodhimit për volume më të mëdha ofrohen çmime më të ulëta dhe anasjellas, duke i bashkëlidhur kësaj shkrese tabelën e çmimeve të ofruara në mënyrë jo korrekte nga Njësia e Prokurimit. Prania e këtyre çmimeve, përveç se është risk për cilësinë e produktit, do të ndikojë edhe në llogaritjen e fondit limit në të ardhmen. kjo sepse përvojat e mëparshme ndikojnë në vlerën e kontratës”, thuhet mes të tjerash në dosje.
Por Agjencia e Blerjeve të Përqëndruara në kthim-përgjigjen drejtuar Policisë së shtetit, thotë se procesi i hartimit dhe lidhjes së kontratës me operatorin ekonomik fitues, është përgjegjësi e vetë autoritetit kontraktor. Një muaj pasi Veliu kishte evidentuar problematikat e tenderit, është lidhur edhe kontrata mes Policisë së Shtetit dhe Bashkimit te Operatoreve Ekonomik përfaqësuar nga përfaqësuesi ligjor Ismail Kadiu më objekt “blerje dhe shpërndarje e uniformave dhe këpucëve për Policinë e Shtetit”.