Kryetari i PD Lulzim Basha ka thirrur sot demokratët në zyrën e tij, në orën 11.00 të kësaj të shtune. Edhe pse një pjesë e grupit parlamentar i ka kërkuar zyrtarisht dorëheqjen, Basha deri tani nuk ka dalë me një qëndrim zyrtar por ka thënë se PD do të nisë një analizë të thellë për humbjen në 6 mars.
Mbledhja e thirrur nga Basha do të mbahet në të njëjtën kohë kur qytetarë nga gjithë Shqipëria do të vijnë në Tiranë, për të marrë pjesë në protestën që do të fillojë në orën 11.00. Prej tre ditësh në Tiranë dhe qytete të tjera protestohet për uljen e çmimeve, të produkteve ushqimore dhe të karburanteve.
Në PD është iniciuar firmosja e një kërkese për t’i kërkuar zyrtarisht kryetarit Lulzim Basha që të japë dorëheqjen pasi ka humbur zgjedhjet e 6-ta radhazi. Megjithatë, kryetari i PD ka në krah dhe një grup deputetësh të cilët kanë justifikuar humbjen dhe janë shprehur se Basha nuk ka përse të japë dorëheqjen.
Pak minuta më parë, para nisjes së protestës dhe mbledhjes së PD, Lulzim Basha foli për mediat për rritjen e çmimeve. Ai kërkoi nga qeveria që të heq taksën e qarkullimit dhe të ulë në 6% TVSH për ushqimet. Sipas Bashës, çmimet rriten dhe të ardhurat e qeverisë.
“Të hiqet taksa e qarkullimit dhe ngrirja e taksave si akciza apo e taksave të tjera, TVSH 6% për ushqimet. Kryeministri është tallur, u është përgjigjur me dhunë policore që PD e ka dënuar me forcë dhe deputetët tanë i janë gjendur pranë, një praktikë abuzive dhe fytyra e vërtetë e një regjimi të shkëputur nga realiteti.
Sot dua të vendos theksin te nevoja imediate për t’i ardhur në ndihmë njerëzve, që çmimet të jenë më pak, nuk mjaftin që topin t’ia kalosh një faktori tjetër, e lehtë t’i vësh fajin Autoriteti të Konkurrencës, apo të zihesh me ato që ke pasur në krah, çmimi i naftës rritet, rriten edhe të ardhurat e qeverisë, pavarësisht prej situatës së brendshme brenda PD, nuk e harrojmë detyrën tonë para njerëzve dhe demokratët do të jenë në krye të kësaj beteje për krizën ku çmimet rriten dhe qeveria shton retorikën dhe dhunën.
Vendet e rajonit, po veprojnë, Rama i kapur nuk mund ta kalojnë llumin me dhunë policore, i kam bërë thirrje 2 javë më parë, një nga propozimet është që të kërkoj mocion me debat që qeveria të lërë llafet”, u shpreh Lulzim Basha, kryetar i PD.