Një 26-vjeçar nga Thumana ka denoncuar gjyshen e tij, se u ka marrë shtëpinë e tyre, e cila po rindërtohet aps tërmetit të 26 nëntorit.
Babai i pesë fëmijëve ka ndërruar jetë para 4 vitesh, ndërsa e ëma u lodh nga konfliktet me familjarët e burrit dhe i braktisi fëmijët e saj.
Në një intervistë te emisioni “Historia ime” në Tv Klan, djali 26-vjeçar ka thënë se e ëma i la vetëm në shtëpi 4 djem dhe 1 vajzë të moshës 26 vjeç, 21 vjeç, 25 vjeç, 24 vjeç dhe një 17-vjeçar, të cilët u detyruan të punonin dhe të jetonin vetëm.
Shtëpia e tyre u prish nga tërmeti dhe Bashkia në atë kohë i strehoi fëmijët në një hotel në Shëngjin e në muajt në vazhdim ju ofroi bonus qiraje.
Ata jetuan disa muaj me qira derisa muaj më parë ju ndërpre bonusi. Arsyeja ishte gjyshja e cila gjithashtu kishte aplikuar për bonus edhe pse nuk jetonte me ta.
Ajo pretendon edhe se shtëpi është e saj dhe nuk i ka lejuar nipërit që të futen në shtëpi.
Banesa rezulton të jetë në emër të gjyshit i cili gjithashtu ka ndërruar jetë por nuk ka lënë akt trashëgimie, që do të thotë shtëpia i takon fëmijëve të tij dhe gruas. Ne situatën kur babai ka vdekur, nipërit kanë pjesë pasurie.
Pjesë nga biseda:
Mirela Milori: Vjen tërmeti i 26 Nëntorit, shtëpia juaj u shkatërrua, ju keni qenë tek ai pallati që kemi parë tek pamjet e Thumanës apo jo?
Djali: Tek tjetri, shtëpia u bë e pabanueshme, nuk funksiononte më.
Mirela Milori: Besoj se keni kaluar një traumë të madhe.
Djali: Është normale, një situatë e vështirë dhe nuk më ik kurrë nga mendja. Në ato momente i lutesha Zotit që të dilnim gjallë nga banesa.
Mirela Milori: Shtëpia doli e pabanueshme, bëhet rindërtimi dhe fillon një konflikt i cili mesa kuptoj ka filluar që në momentin që ka vdekur babai juaj, njerëzit e tij kanë pasur pretendime për shtëpinë. Tani që u bë rindërtimi, keni hyrë në shtëpi apo jo?
Djali: Jo sepse gjyshja nuk pranon që ne të futemi aty sepse thotë që shtëpia është e imja, ju nuk keni pjesë aty. Edhe halla kështu na thotë. Shtëpia ka qenë në emër të gjyshit që ka vdekur.
Mirela Milori: Gjyshja ka jetuar me ju ndonjë ditë?
Djali: Jo, jo fare, ka jetuar me gjyshin vetëm të dy, tek shtëpia e gocave, ia kishin lënë ato të jetonin. Certifikatën e pronësisë të shtëpisë që po rindërtohet i ka gjyshja, kam folur shumë herë me të, më ka prerë shkurt, shtëpia është e imja, mos kërkoni gjë. Shkoni kërkojini nënës thotë ose diku tjetër.
Mirela Milori: Si ka qenë raporti me gjyshen, ka qenë e afërt, ju ka rritur, ju ka mbajtur?
Djali: Jo dhe aq mirë, kemi pasur konflikte, ndonjëherë na fliste, ndonjëherë nuk na fliste. Nuk ishte njeri i afrueshëm, dhe ishte negative me ne.
Djali 26 vjeç tregon se gjithë vëllezërit janë të shpërndarë tani, ai jeton në shtëpinë e gjyshërve të nënës, vëllai i vogël që është në shkollë jeton tek njerëzit e babait dhe dy të tjerë kanë ardhur në Tiranë për të punuar, por nuk përfitojnë dot bonus qiraje.