Madrit Ulqinaku, 33 vjeç ka mbetur i vdekur mbrëmjen e kësaj të mërkure në Elbasan pasi është qëlluar për vdekje me armë zjarri. Ai sapo ka dalë nga një lokal në qendër të qytetit, ku sapo kishte konsumuar një kafe, dhe është qëlluar me armë.
Policia në njoftimin e saj për mediat deklaron se viktima është rreth 25 vjeç, por newsbomb.al mëson se bëhet fjalë për 33 vjeçarin Madrit Ulqinaku. Miqtë dhe të afërmit e tij ndajnë foton në rrjetet sociale dhe janë të tronditur nga ngjarja.
Dyshohet se shkak ka qenë një konflikt i çastit që ka degjeneruar në përdorimin e armës së zjarrit nga autori, një 20 vjeçar i identifikuar nga Policia. Por po hetohet dhe në drejtim të një piste tjetër, sipas së cilës autori 20 vjeçar Klajdi Sh. dhe viktima të kenë pasur një konflikt ditë më parë.
Sot, ata janë takuar dhe 20 vjeçari e ka qëlluar Madrit Ulqinakun me pistoletë pas shpine, duke e lenë të vdekur në vend e pranë makinës së tij. Ai është ndihmuar nga një person tjetër dhe është larguar me shpejtësi nga vendngjarja, lagja “Kongresi”, një prej zonave më të populluara në Elbasan.
“Më datë 17.08.2022, rreth orës 21:50, në lagjen “Kongresi”, Elbasan, gjatë një konflikti për motive të dobëta midis disa të rinjve, dyshohet se shtetasi K.SH, rreth 20 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri pistoletë dhe për pasojë ka humbur jetën shtetasi M. U., rreth 25 vjeç, banues në Elbasan.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, së bashku me grupin hetimor. Është rrethuar zona dhe vijon krehja e saj për të bërë të mundur kapjen e autorit. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton Policia e Elbasanit.
Lexo edhe: Të shtëna me armë zjarri pranë “Elbasan Arena”, raportohet për viktima (Pamje nga vendngjarja)