Banesa e mbushur me vepra arti dhe ikona është zbuluar gjatë aksionit të policisë të koduar “Cultural Heritage”.
Blutë e Tiranës bëjnë me dije se kanë arrestuar pronarin, Artan Koçou, në apartamentin e të cilit u gjetën rreth 4000 vepra të ndryshme arti, që dyshohet se janë të vjedhura.
Artan Koçiu rezulton i arrestuar në vitin 2013, gjatë aksionit të famshëm Ikona, ku u vu në pranga edhe koleksionisti Gjergji Thimjo.
Detaje nga Policia:
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Cultural Heritage”.
Operacioni policor i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve te Paligjshme në DVP Tiranë.
Sekuestrohen rreth 4.000 sende të dyshuara si pasuri kulturore të luajtshme.
Vihet në pranga poseduesi i tyre.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas një pune të mirëfilltë hetimore disajavore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Cultural Heritage”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– A. K., 61 vjeç, banues në rrugën “Ali Demi”, për veprat penale “Vjedhja e veprave të artit e kulturës”, dhe “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës”.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në një apartament në pronësi të këtij shtetasi, në rrugën “Shyqyri Brati”, kanë gjetur rreth 4.000 sende të dyshuara si pasuri kulturore të luajtshme.
Në bashkëpunim me specialistët dhe ekspertët e Institucioneve të Specializuara në Ministrinë e Kulturës vijon puna për inventarizimin e këtyre objekteve dhe dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.