Autoritetet italiane në bashkëpunim me ato shqiptare, në bashkëpunim me EUROJUST arritën të shkatërrojnë rrjetin e bandës së trafikut të drogës, të drejtuar nga tre shqiptarë.
Gjatë këtij operacioni u vunë në pranga 30 persona si dhe u sekuestruan 4 milionë euro.
Ndërkohë, gjatë përgjimeve të kryera prej vitit 2019 doli edhe emri i ish-zëvëndëmistres Rovena Voda, e cila disa muaj më parë u dënua për korrupsion me 15 muaj burg.
Ajo rezultoi se ka biseduar atë kohë për punësimet në Ministri me Florida Beun, motrën e njërit prej trafikantëve të arrestuar sot. Beu prej kohësh ishte në përgjim ambiental.
Kujtojmë se hetimet për goditjen e këtij grupi kriminal nisën nga Eurojust dhe Europol në vitin 2019. Eurojust organizoi dy takime koordinuese, gjatë të cilave përfaqësues të autoriteteve të përfshira u mblodhën së bashku për të diskutuar rastin, për të shkëmbyer informacione dhe për të rënë dakord për hapat e mëtejshëm.
Mësohet se 350 oficerë të policisë u angazhuan në terren, ndërsa u vunë në pranga 30 persona, identitetet e të cilëve nuk bëhen ende të ditur. Gjatë aksionit u kontrolluan 31 lokacione, u sekuestruan 5 pushkë, 1 pistoletë dhe 6 automjete.
Sipas SPAK, tre shqiptarë të arrestuar ishin drejtues të këtij grupi kriminal që funksiononte kryesisht nga qyteti i Durrësit prej ku droga trafikohej në qytetet italiane të Bergamos, Milanos dhe Torinos.
Mes të arrestuarve janë shtetasit shqiptarë: Branjol Liço, Gernard Beu; Dorian Beu; Syrjan Tola, Igli Lala alias Oltion Lala; Ramazan Grada; Florind Vukaj; Gjergj Zefi, Renato Zefi; Rexhep Dallupi; Alfred Luli; Gjergj Luli; Saimir Prenga; Lorik Prengaj,Fabio Prenga, Francesko Çeçi, Ilir Duro; Lulzim Selimi; Dhimiter Nina; Eliedo Dedej ndersa nen masen e arrestit shtepiak do hetohet Enkeleda Bakalli.