Nga Edi Oga, ekskluzivisht për Newsbomb.al
Problemet e ‘sotme’, vijnë kryesisht nga gabimet e ‘djeshme’, që do të thote se nga gabimet që po bëjmë sot, do të vijnë problemet dhe hallet që fëmijët tanë dhe ne bashkë me ta, do të vuajmë nesër!
Ka gabime të vogla dhe gabime të mëdha!
Ka gabime, ka edhe faje!
Ka gabime pa dashje, por ka edhe faje, kur janë gabime të mëdha dhe bëhen me dashje!
Shumëkush mund të mendojë se gabimet më të mëdha në këta 30 vite, populli ynë i ka bërë në zgjedhjen e njerëzve apo partive që na kanë qeverisur. Unë mendoj të kundërtën. Zgjedhjet politike është ‘sektori’ ku shqiptarët kanë gabuar më pak! Shqiptarët kanë qenë të shtrënguar që gjithmonë të zgjedhin të keqen më të vogël, sepse oferta ka qenë gjithmonë e tillë; të pafytyrët e hajdutët kanë bërë lart në politikë, të ndershmit e kanë pasur rrugën e shkurër. Janë eleminuar nga të paudhët ose janë tërhequr të zhgënjyer nga politika! Si përfundim, shqiptarët kanë pasur alternativë vetëm zgjedhjen midis qelbësirash, ata që janë në pushtet apo ata që bashkohen në aleanca të pamoralshme sa herë u duhet të luftojnë për të marrë pushtetin! Pasojat e keqqeverisjeve nuk vijnë për shkak të zgjedhjeve popullore, por vijnë si pasojë e veprimeve të organizuara grabitqare dhe përfituese e qelbësirave të rradhës që ulen në karriget e pushtetit!
Me fjalë të tjera, edhe nëse gabojmë në zgjedhjet tona për pushtetin, duhet të presim 4 vite për të provuar të korrigjojmë gabimin. Ndërkohë, ka edhe gabime të tjera që i bëjmë çdo ditë, të cilat rezultojnë në pasoja shumë më të rënda në të ardhmen. Janë gjëra në dukje të vogla, të parëndëishme, por që të mbledhura së bashku, të përsëritura e të përkeqësuara ditë pas dite, po fryjnë e po tensionojnë një bombë social-kulturore me fuqinë e një bombe atomike!
E kam fjalën për artin, kulturën, arsimin dhe sportin në vendin tonë.
Sot ka programe të televizioneve kombëtare që përhapin lirshëm degjenerim!
Sot ka “reperë” që përcjellin lirshëm mesazhe krimi, droge dhe prostitucioni!
Sot, nëpër korridore dhe oborre shkollash janë pihet hashash dhe flitet me një gjuhë monstruoze për subjekte jo të moshës përkatëse!
Sot të rinjtë nuk merren pothuajse aspak me sport!
Pjesa më e madhe e qytetarëve nuk e kanë formimin e duhur për të gjykuar efektin e tyre në një kohë më të gjatë. Ata jetojnë ditën dhe mundohet të përshtaten në atë çfarë u ofrohet. Ata mbase gabojnë, por nuk mund t’i bëjmë me faj!
Me faj jemi ne që i kuptojmë gjërat më mirë se të tjerët dhe nuk bëjmë asnjë përpjekje që t’i ndalojmë të ndodhin. Akoma më me faj se ne është pushteti, por nga pushteti nuk presim të mendojë për të ardhmen, sepse pushteti ka mandat të shkurtër dhe nuk ka kohë për të humbur! Fajtorët më të mëdhenj janë ata që mund të ndryshonin gjërat në këtë vend, por nuk e bëjnë se i ka zënë sytë paraja!
Të ardhmen po na e vret kjo mënyrë se si po e jetojmë të tashmen.
Po na e vret indiferenca dhe pafuqia për të bërë mirë gjërat që i bëjmë gabim!
Me këtë të tashme, e ardhmja është e zymtë, pse jo e frikshme!