Ish-kryeministri Sali Berisha në fjalën e tij në ceremoninë përkujtimore, në ditën e lindjes së Bujar Nishanit, tha se vendi ishte i bekuar që pati një shtetar patriotik që i shërbeu si pakkush. Ai tha se familja dhe bashkëpunëtorët, ishin gjithashtu të bekuar që patën një mik si ai.
“Ersi dhe Fiona janë të bekuar se patën një baba të mrekullueshëm. Një baba që i mëkoi me virtytet më të arrira të njeriut. Një babai cili i mëkoi ata me dashurinë për familjen. Me dashurinë për vendin, për mikun, për shokun. Me atdhetarinë. Dhe sot ata krenohen me babain e tyre, thesarin shpirtëror me të cilin ai i mëkoi. Krenohen për babanë e tyre, që në çdo detyrë dhe funksion i dhanë nderë, detyrës, vendit e familjes.
Të bekuar ishim ne të gjithë që patëm një mik si ai. Bujar Nishani ishte një mik besnik me të cilin komunikoje njëlloj si me veten tënde. Me të cilin vendosje i bindur në luajalitetin dhe besnikërinë e tij. Ne ishim të bekuar që patëm një mik si ai. Dhe vendi ishte i bekuar, që pati një zyrtar si Bujar Nishani.
Një shtetar mund të ketë shumë cilësi, por kryesorja është patriotizmi. Bujar Nishani donte kombin, donte dheun, flamurin e kombit dhe i nderoi ato si pakkush tjetër. Ai sot ka një vend, do të mbetet gjithnjë në zemrat tona. Duke u përulur me nderimin më të madh, e konsideroj veten të bekuar që pata një bashkëpunëtor si Bujar Nishani”, u shpreh Sali Berisha.