
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, gjatë ceremonisë në certifikimin e kadetëve të rinj në ushtrinë e Kosovës, deklaroi se shtetin nuk do arrijë askush ta kërcënojë asnjëherë.
Veseli tha se integriteti territorial dhe kufijtë e shtetit të Kosovës janë të shenjtë dhe të paprekshëm.
Kryeparlamentari e konsideroi futjen e kadetëve të rinj në Forcat e Sigurisë së Kosovës si ditë krenarie për të gjithë. Veseli shtoi se fakti që Kosova ka ushtrinë më të re në botë, e bën atë që të ndihet si privilegj për shumë gjenerata që do të vijnë pas.
‘Ju jeni pjesë e një force mbrojtëse, të lindur e zhvilluar në partneritet me NATO-n, Aleancën më të fuqishme në botë, garantuese e vlerave të lirisë dhe demokracisë. Ne sot ndihemi krenarë me ju. Ne besojmë në përkushtimin atdhetar dhe profesionalizmin tuaj. Ju e keni nderuar atdheun kudo që keni marrë pjesë në garat ndërkombëtare, njësoj si sportistët tanë. Ju u keni dëshmuar aleatëve tanë seriozitetin dhe gatishmërinë tonë për të qenë pjesë e misioneve të përbashkëta në të mirë të paqes e njerëzimit. Me ju Kosova ndihet më e sigurt në të tashmen dhe të ardhmen e saj’, tha kryeparlamentari Veseli.