Dy krerët e akuzës shqiptare, kryeprokurori Olsian Çela dhe kreu i Prokurorisë Speciale Arben Kraja, kanë qenë dje në Bruksel, për të marrë pjesë në përvjetorin e 20-të të Prokurorisë Federale të Belgjikës.
Të pranishmit ishin në një linjë, që krijimi dhe jetëgjatësia e një strukture prokurorie të specializuar dhe qendrore është e domosdoshme për të patur sukses në luftën kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe terrorizmit.
Sipas tyre, vendosja e kontakteve dhe bashkëpunimi ndërkombëtar ndërmjet prokurorive të posaçme është e domosdoshme për të arritur suksesin. Gjithashtu, në takim u theksua fakti që lufta kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe terrorizmit është një betejë e gjatë dhe e vazhdueshme, që duhet realizuar në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet strukturave të zbatimit të ligjit.
Drejtuesi i SPAK Arben Kraja, zhvilloi takime me personalitetet e ftuar dhe veçanërisht me drejtuesit e prokurorive prezente në takim, në kuadër të vendosjes së kontakteve të reja. “SPAK është i vendosur që bashkëpunimin e shkëlqyer që ekziston me Prokurorinë Federale Belge t’a vazhdojë duke dhënë më shumë rezultate konkrete”, thuhet në njoftimin e organit të akuzës.
Pjesëmarrja e përzgjedhur në këtë ceremoni përbëhej nga funksionarë të lartë të Brukselit por edhe më gjerë si: Kryeprokurori Federal Belg, z. Frederic Van Leeuw; President i Senatit Belg, znj. Stėphanie D’Hose; Ministri i Drejtësisë Belge, z. Vincent VanQuickenborne; Ministër i Brendshëm, znj. Annelies Verlideen; Prokurori i Prokurorisë Kombëtare Franceze të Antiterrorit, z. Jean-Francois Ricard; Kryeprokurori Publik i Prokurorisë Kombëtare Hollandeze, z. John Lucas; Prokuror i Përgjithshëm i Serbisë, znj. Zagorka Dolovac; Drejtues i Prokurorisë kundër Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit në Rumani, znj. Oana Daniela Patu; Prokurori i Përgjithshëm i RSH, z. Olsian Çela.