Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi, gjatë fjalës së tij në Parlament shprehu mosbesimine tij te Reforma në Drejtësi dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, duke thënë se Parlamenti po përpiqet të shtyjë të gjitha reformat në vend.
Sipas Blushit po krijohet bindja se mes politikanëve ka një marrëveshje që të mos hetohet dhe të mos ndëshkohet asnjëri prej tyre.
Blushi tha se është e habitshme që kryeministri të dalë dhe ti bërtasë shqiptarëve se pse nuk kanë dëshirë të punojnë. Ndërsa tha se “fabrika në Korçë që nuk gjen dot kasap sepse qyteti ka më shumë jurist, le të presë Dekriminalizimin se do ketë me shumicë”.
Fjala e Blushit në Parlament:
Unë shpresoja sot që qeveria do shpjegonte çfarë është Byroja Kombëtare e Hetimit. Të marrin vesh se çfarë përfaqëson dhe si e avancon luftën kundër korrupsionit dhe krimit. Bëhet fjalë për një Byro që do ketë më shumë pushtet dhe fuqi për të luftuar korrupsionin dhe krimin.
Ky parlament ka një tipar që nuk i shpëton dot. Ngathtësinë për tu bërë i shkathët dhe shkathtësinë për tu bërë i ngathët për çështje krejtësisht të parënsësishme.
Parlamenti jonë e ka këtë tipar. Nevojën për të shtyrë emergjencat. Kështu ndodhi edhe me ligjin e dekriminlalizimit, u miratua në limit të kohës. Asnjë nga ata që duhet të ishin subjekt i ligjit nuk e la mandatin. Ne bëjmë ligje por nuk i zbatojmë ligjet, këtë perceptim ka populli. Kjo mesa duket ka për të ndodhur edhe me Reformën në Drejtësi dhe Byronë.
Reforma në Drejtësi ka për të patur por drejtësi nuk do ketë. Byro ka për të patur por hetim nuk do ketë. Shqiptarët janë më shumë se kurrë të bindur se po shkojmë drejt një konsensusi për të mos miratuar ligjet.
Nga kush do varet Byroja? Kush do t’i mbrojë ata që do hetojnë? Kjo quhet drejtësi e mohuar. Ne po bëjmë një pakt për të mos u ndëshkuar. Shtyrja e miratimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Reformës në Drejtësi nuk është vetëm kaq, është një pengesë për shtyrjen e të gjitha reformave në Shqipëri.
Qeveria nuk ndalon dot që krimi të hyjë në Parlament. Pretendon se ka ndërprerë ndërtimet pa leje po nuk ndalon dot që njerëz të armatosur të grabisin pronën e shtetit, me pistoletë madje. Nuk ndalon dot një deputet me kondrabandë. Pretendohet se janë hapur vende pune por më habit që doli kryeministri dhe i bërtiste shqiptarëve pse nuk punoni. Po a mund të ndodhë kjo? Qeveri që thotë se ka më shumë vende pune se qytetarë.
E tha kryreministri “Në Korçë është një fabrikë që kërkon kasap por nuk gjen dot se në Korçë ka më shumë juristë se kasapë”. I sugjeroj fabrikës të presë sa të kalojë ligji i dekriminalizimit se do ketë me shumicë kasapë.
Për fat të keq duke shtyrë Reformën në Drejtësi dhe Byronë Kombëtare të Hetimit po i bindim shqiptarët se këtu ekzistin një pakt dhe një konsensus që të mos ketë hetim dhe të mos ketë ndëshkim.